
Daniel Radcliffe ka zbuluar se i ka dërguar një letër Dominic McLaughlin-it, aktorit 11-vjeçar që do të marrë rolin e Harry Potter në adaptimin e ardhshëm televiziv të HBO-së. Radcliffe, i cili luajti magjistarin e famshëm për 10 vite me radhë, tha për “Good Morning America” se McLaughlin i është përgjigjur me “një shënim shumë të ëmbël”.
Aktori i njohur tregoi se e kontaktoi drejtpërdrejt pasi fëmija u përzgjodh për rolin, duke i uruar atij dhe kolegëve të rinj suksese në xhirime. “Nuk dua të jem një fantazmë në jetën e këtyre fëmijëve,” tha Radcliffe, “por doja t’u thosha se shpresoj të kaloni kohën të mirë edhe më të mirë se unë.”
Roli i Harry Potter-it do të interpretohet nga McLaughlin, ndërsa Arabella Stanton do të luajë Hermione Granger dhe Alastair Stout rolin e Ron Weasley. Radcliffe u shpreh se kur sheh fotot e tyre, “do vetëm t’i përqafojë”, duke shtuar se është e çuditshme të mendojë që ai vetë e nisi këtë udhëtim në të njëjtën moshë.
Mbi 30,000 fëmijë morën pjesë në audicionet e hapura për serialin e ri, ndërsa tre protagonistët janë të gjithë talente të rinj. McLaughlin është shfaqur më herët në komedinë “Grow”, Stanton ka luajtur Matildën në “West End”, ndërsa Stout nuk ka pasur më parë role aktrimi.
Kasti i serialit të ardhshëm përfshin edhe emra të njohur si John Lithgow (Albus Dumbledore), Janet McTeer (Minerva McGonagall), Paapa Essiedu (Severus Snape) dhe Nick Frost (Rubeus Hagrid). Xhirimet për sezonin e parë kanë nisur dhe pritet që seriali të dalë në vitin 2027.
Prodhimi i plotë do të zgjasë rreth 10 vjet, pasi secili nga shtatë librat e J.K. Rowling do të shndërrohet në një sezon të veçantë. “Warner Bros Studios” ka marrë madje leje për të ndërtuar një shkollë të përkohshme brenda studios, ku aktorët fëmijë do të mund të studiojnë jashtë orareve të xhirimit.



