Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto të shtunën është shprehur se Shqipëria është vendi i fundit në rajon për ndihmë ndaj biznesit të vogël përgjatë periudhës së izolimit për shkak të masave të marra për parandalimin e virusit Covid-19, duke lëvruar gjithsej deri më tani rreth 92 milionë euro.
I ftuar në studion e lajmeve përmes një lidhje me Skype në televizionin TVT, Nasto theksoi se kjo është një ndihmë e pamjaftueshme për biznesin e vogël në Shqipëri, të cilën e konsideroi si qesharake.
“Janë dhënë vetëm dy fasho pagesash. Fasho e parë ishte me 260 mijë lekë e cila është marrë në tre këste dhe fasho e dytë ishte 400 mijë lekë që është marrë në fund si nga punonjësit, por edhe nga tregtarët. Arsyeja është se janë lëvruar gjithsej 92 milionë euro, duke u rrështuar në vendin e fundit në Europë dhe rajon për ndihmën ndaj biznesit. Kjo është një ndihmë e pamjaftueshme dhe një gjë të tillë ne e kemi thënë edhe më para, duke e etiketuar si një ndihmë qesharake”, u shpreh kreu i shoqatës.
Ai tha se më një ndihmë të tillë nga shteti, biznesi i vogël në vend e ka të pamundur për të përballuar të gjitha taksat, por edhe detyrimet lokale dhe ato qëndrore.
Sipas tij, rreth 10 për qind e biznesit të vogël kanë marrë nga 260 mijë lekë të vjetra në tre këste, kurse 90 për qind e tij kanë marrë vetëm 400 mijë lekë të vjetra.
“Kosova, i cili është shteti më i ri në rajon, ka dhënë 260 milionë euro ndihmë për biznesin. Kurse në Shqipëri janë dhënë ndihmë për biznesin dhe për të punësuarit e biznesit 92 milionë euro”, tha ai.
Nasto u shpreh se duke llogaritur tre muaj izolim për shkak të pandemisë, i takon që 90% e biznesit të vogël në Shqipëri kanë marrë vetëm 133 mijë lekë të vjetra në muaj.
Ai tha se me një shumë të tillë asnjë biznes nuk mund të paguajë detyrimet që ka ndaj pushtetit lokal dhe qëndror.



