Menaxheri BB në Shqipëri Emanuel Salinas tha modeli ekonomik i vendit ka nevojë për transformim, duke u orientuar nga eksportet. Teuta Nunaj, eksperte e ekonomisë, tha në “Mcn Economy” se nuk mund të vazhdohet më me këtë model ekonomik, me paga kaq të ulëta dhe burime njerëzore pjesërisht të kualifikuara. Nunaj vuri në dukje se deri më tani programet ekonomike në Shqipëri kanë qenë elektorale dhe s’ka pasur një vizion për zhvillimin e industrive të caktuara.

"Pse duhet t’i japim kaq rëndësi kur e thotë një ekspert i huaj, kur ne ekspertët vendas prej vitesh e vëmë theksin që të rritet produkti ‘Made in Albania’. Sektori i ndërtimit nuk e gjeneron paranë, por e ngurtëson. Për ta shkëputur ekonominë shqiptare nga stadi ekonomisë së konsumit. Nuk mund të vazhdojmë me këtë model ekonomik, me paga kaq të ulëta, dhe burime njerëzore pjesërisht të kualifikuara. Në rastin e Shqipërisë nuk mungojnë idetë, por përcaktimi i vizionit, ku duam ta shikojmë Shqipërinë për 10-20 vjet. Programet ekonomike kanë qenë programe elektorale. Nuk kanë qenë programe ekonomike, që do ta shikonin zhvillimin e ekonomisë për një periudhe 10-15 vjet. Nëse ne do themi do zhvillojmë industrinë e energjetikës, atëherë do të mbështes të gjithë atë sektor dhe do mbështes arsimin. Duke bërë këtë ndërlidhje, atëherë unë funksionoj, si një treg me tre aktorë. Në rastin tonë ne veprojmë secili më vetvete, qeveria një politike, biznesi një politikë, dhe arsimi më vete. Sektorët me potencial për zhvillim janë industria dhe bujqësia”.



