Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë seancën e parë ndaj të pandehurve të kompanive "MCA" dhe "Final", për shkak të grevës së paralajmëruar të avokatëve.
Ndërkohë që llogaritë dhe asetet e këtyre shoqërive mbeten nën sekuestro, mijëra familje shqiptare që ranë pre e abuzimeve vijojnë të jenë në ankth për fatin e pronave dhe parave të tyre.
Lidhur me rastet avokatja Elona Berki në MCN Economy vuri theksin te rëndësia që qytetarët e dëmtuar të mos presin në mënyrë pasive, por të ndërmarrin hapa ligjorë individualë për të kërkuar dëmshpërblim, duke paralajmëruar se skema të ngjashme po operojnë ende lirshëm në treg.
Në momentin që del certifikata që ka vlerë ligjore, do të jenë të përfaqësuar të gjithë qytetarët. Por duhet të kuptojmë se askush nuk do të jetë i përfaqësuar automatikisht; secili prej tyre duhet t'i drejtohet individualisht gjykatës civile, duke u bazuar te vendimi final për të kërkuar të drejtat e tyre të sekuestruara. Janë vite të tëra që njerëzit tanë janë gjendur pre e këtyre mashtrimeve të rënda financiare dhe duhet thënë me keqardhje se ata nuk janë të vetmit. Edhe sot ka kompani të tjera në treg që kryejnë pikërisht të tilla funksione abuzive. Kjo është një skemë e mirëfilltë 'ping-pongu' ku e nisin bankat e nivelit të dytë, të cilat e këshillojnë qytetarin për të marrë një kredi të re me qëllim ristrukturimin e kredisë së parë, dhe ku pjesë aktive e skemës kanë qenë vetë përmbaruesit. Ka edhe skema më alarmante ku faji kryesor mbetet i qytetarit, i cili pranon të bëhet debitor thjesht pas një telefonate. Kemi pasur raste konkrete ku në zyra është paraqitur bashkëshorti i vetëm, në gjendje të dehur, dhe ka firmosur i vetëm një kontratë skllavëruese”, u shpreh avokatja Elona Berki.
Nga ana tjetër, gazetari Lorenc Rabeta u shfaq tejet skeptik për sa i përket mundësisë reale të dëmshpërblimit të viktimave të kësaj skeme, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi gjetjen e kapitaleve të zhvatura.
Për fat të keq, pavarësisht dhe përtej asaj që mund të vendosë gjykata në fund të këtij procesi, ku unë shpresoj shumë që t' u japë të drejtë qytetarëve që ranë viktima të kësaj skeme mashtrimi, unë përsëri nuk shoh një rrugëzgjidhje praktike për fatin e tyre. Ne këtu po flasim për qytetarë realë të cilëve u është marrë prona, u është shitur prona në mënyrë abuzive dhe u janë zhvatur shuma të mëdha parash. Pyetja e madhe dhe problemi më i madh që unë shoh në të gjithë këtë situatë është: ku do të gjenden ato para për t'iu kthyer njerëzve? Praktikisht, Banka e Shqipërisë po studion mundësitë e ndërhyrjes, por dëmi i shkaktuar është aq i thellë sa gjetja e mekanizmit të dëmshpërblimit mbetet një e panjohur e madhe.



