Kuvendi po miraton shtyrjen e radhës së afatit të vlefshmërisë së bonove të privatizimit, të cilat qarkullojnë nëpër familjet shqiptare që në vitet 90, kur u shpërndanë me qëllim përdorimin e tyre për privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore. Duke folur mbi këtë çështje në “Mcn Economy” eksperti i ekonomisë Elvin Meka tha që nga kjo lloj pasurie kanë përfituar një numër jashtëzakonisht i vogël njerëzit. Sipas tij politika ka punuar në mënyrë sistematike që shqiptarët të mos pasurohen masivisht dhe të mos përfitojnë në mënyrë të denjë nga shpërndarja e kësaj lloj pasurie. Ai vuri në dukje se kjo pasuri është përqendruar në pak duar dhe në pakë lekë.
Sikurse në çdo shtet tjetër post-komunist duhet patjetër të realizoheshin disa reforma thelbësore, dhe një nga aspektet bazë në hyrjen në ekonominë e tregut, kishte të bënte me privatizimin. Në një farë mënyrë, kthimin e pronës së përbashkët, që ishte krijuar në 3-4 dekada rresht në Shqipëri, me një punë të gjerë të të gjithë shqiptarëve, në një farë mënyrë u gjykua e drejtë, që kjo pronë në një mënyrë apo tjetër, të mund të kthehej te krijuesit e saj të vërtetë në kohë. Sigurisht ky s’ishte një mekanizëm i krijuar vetëm për ne. Ne hymë pothuajse në fund në këtë rrugë, ku shtete të tjera tashmë e kishin shkelur rrugën e privatizimit, përmes këtij instrumenti, që ishte një mjet i drejtpërdrejtë pagese, për të kryer këtë transferim të pronës nga shteti te individët.
Ne kemi edhe objekte shtetërore të paprivatizuara, unë besoj se ky proces do vijojë. Deri në momentin që kemi ende objekte të tilla, s’ka shkak për t’i nxjerrë të pavlera apo nga përdorimi. Ndërkohë ende kemi një proces të pambyllur të legalizimit. Kjo qasje e re e 15 viteve të fundit duket se i ndërroi rrugën, ose i dha një lloj momenti të ri vlerës së bonove të privatizimit, pasi dukshëm vlera është më e madhe në treg, në raport me vlerën e mundshme të privatizimit të objekteve të mbetura. Qeveria ende s’na ka vënë në dijeni të një inventari të plotë dhe me një vlerë ekuivalente të përafërt se sa pritet që të arkëtohen në para lekë, dhe bono, nga këto objekte, janë 100-200 apo 500 objekte, me një vlerë të caktuar tregu, që mund të paguhen me bono privatiizmi apo lekë në dorë. Sa më gjatë shkon ky proces, aq më shumë shtrihet në kohë efekti i përdorimit në kohë të këtyre instrumenteve. Jemi mbi 30 vjet tranzicion, apo hyrje në ekonomi tregu, dhe akoma shqyrtojmë alternativa të realizimit të privatizimeve, gjë që duhet të ishte mbyllur me kohë, shumë vite më parë. Tashmë s’mund të ketë asnjë lloj justifikimi për të menduar se çfarë duhet privatizuar, apo nëse duhen privatizuar. 1000 apo 1200 objekte të ushtrisë, jo të gjitha kanë një vlerë të mirë, të çmueshme, apo të kërkuar nga njerëzit apo individët, por ajo që është e rëndësishme, do të kishim një përmbyllje të të ashtuquajturit tranzicion ekstremisht të gjatë, në momentin kur do kemi një mbyllje totale të privatizimeve.
Ka shumë individë të lidhur drejtpërdrejtë apo jo me politikën kanë arritur që të nxjerrin përfitime të mëdha. Sigurisht që edhe shumë individë të thjeshtë mund të kenë përfituar nga kjo luhatje në vite e bonove. Përfituesit më të mëdhenj kanë qenë ata persona që kanë qenë në dijeni të privatizimeve të caktuara. Pas viteve 2006-2007 për t’i përdorur bonot e privatizimit për legalizime. U shpërblyen ata persona dhe individë që ndërtuan në mënyrë të paligjshme. Bonot e priativizmit e humbën logjikën e tyre. Kanë përfituar një pjesë jashtëzakonisht e vogël nga kjo lloj pasurie. Politika ka punuar në mënyrë sistematike që shqiptarët të mos pasurohen masivisht dhe të mos përfitojnë në mënyrë të denjë nga shpërndarja e kësaj lloj pasurie. Kjo pasuri u shpërnda në pak duar me vetëdije. U përqendruan në pak duar dhe në pak lekë. Ka nevojë për një transparencë të përgjithshme. Sa është niveli aktual i emetimit, sa prej këtyre bonove janë përdorur, dhe sa ka mbetur stok i patërhequr”.
Ai theksoi se është skeptik që qeveria do të ketë vullnetin e mirë për ta orientuar tregun me një vlerë nominale.



