Drejt Sistemit Europian të Pagesave, Sejko: Përfitime reale për ekonominë

Drejt Sistemit Europian të Pagesave, Sejko: Përfitime reale për ekonominë

Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të rajonit janë mbledhur në Tiranë në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor- me BE-në. Guvernatori i BSH, Gent Sejko, theksoi rëndësinë e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave (SEPA).

Projekti për përfshirjen e Shqipërisë në zonën gjeografike të SEPA-s kryesohet nga Banka e Shqipërisë. Shqipëria ka përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian. Vlerësimet e Bankës Botërore cilësojnë se Shqipëria është pothuajse gati për t’u bërë anëtare e SEPA-s.

Dëshiroj të theksoj se, arritjet e përmendura janë rezultat i përpjekjeve të gjata në kuadër të procesit të integrimit, por jo vetëm. Ato janë rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta për modernizimin e tregut vendas të pagesave me vlerë të vogël, nëpërmjet Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël në Shqipëri. Jo pa qëllim përmend strategjinë, për të vënë në dukje faktin se, Shqipëria - por jam i sigurt se edhe vendet e tjera të rajonit - po përafrojnë kuadrin rregullator me standardet evropiane si një zgjedhje e tyre për të pasur standardet më të mira dhe jo thjesht si një detyrim për të përmbushur në kontekstin e integrimit.

Kështu, në kuadër të kësaj strategjie, kemi harmonizuar legjislacionin evropian për pagesat nëpërmjet transpozimit të Direktivës për Shërbimet e Pagesave (PSD2) dhe Direktivës për Pagesat elektronike, të cilat janë njëherazi thelbësore për suksesin e SEPA-s. Nga viti 2018, Shqipëria ka përshpejtuar përpjekjet e saj në këtë drejtim nëpërmjet hartimit dhe miratimit të Ligjit “Për shërbimet e pagesave” dhe të kuadrit rregullator për zbatimin e këtij ligji. Rezultatet nga tregu, në lidhje me inovacionin dhe konkurrencën që promovon ky ligj, janë inkurajuese. Në tregun e pagesave janë shtuar 6 institucione të reja jobanka, ndërsa numri i llogarive të pagesave të ofruara prej tyre arriti në rreth 200 mijë në vitin 2023. Kjo shifër është trefishuar në krahasim me vitin 2022. Tregu ynë po gëzon disa nga përfitimet e pjesëmarrjes në SEPA në terma të kostos dhe të kohës, nëpërmjet veprimtarisë së një institucioni të parasë elektronike, i cili operon gjithashtu dhe në Bashkimin Evropian. Kjo i bën rezultatet e pritura nga pjesëmarrja e komunitetit tonë të pagesave në SEPA më të prekshme nga publiku.  

Sejko theksoi se integrimi me një treg më të gjerë evropian, do të sjellë përfitime për ekonominë reale.

Pjesëmarrja në SEPA mundëson kryerjen e pagesave ndërkufitare më eficiente në terma të kostos, kohës dhe sigurisë. Lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me Bashkimin Evropian pritet të nxisë edhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë. Me vendet e BE-së kryhen rreth 2/3 e tregtisë; janë destinacion për rreth 71% të eksporteve të mallrave tona; dhe janë origjina e më shumë se gjysmës së stokut të Investimeve të Huaja Direkte. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA mbështet nxitjen e tregtisë ndërmjet vendeve të rajonit dhe aktivitetin ekonomik në tërësi. Në lidhje me këtë, dëshiroj të sjell në vëmendje se vitet e fundit, aktiviteti tregtar dhe shkëmbimi i shërbimeve dhe turizmit ndërmjet 6 vendeve tona janë rritur dhe pritet të intensifikohen më tej me zhvillimet infrastrukturore në transport. Më tej, pothuajse të gjitha dërgesat e emigrantëve vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, e cila gjithashtu është anëtare e SEPA-s. Sikurse nënkuptohet, pjesa më e madhe e transaksioneve financiare ndërkufitare kryhet me vendet e BE-së, ndaj përfitimet ekonomike nga kryerja e pagesave me efikasitet më të lartë për sa i përket kostove, kohës dhe sigurisë janë të mëdha. Unë besoj se këto përfitime janë të ndërsjella, pasi edhe partnerët evropianë mund të jenë të sigurt që po marrin të njëjtin trajtim. Përdorimi i pagesave SEPA do të sjellë ndryshime pozitive në sjelljen e kompanive shqiptare dhe të individëve sa i përket mënyrave për kryerjen e pagesave.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy