
Rreth 650 milionë euro të investuara në ndërtime të reja në Tiranë, bregdet dhe zona rezidenciale janë identifikuar si fonde që kanë qarkulluar në një sektor me mangësi të theksuara kontrolli dhe transparence.
Eksperti kontabël Altin Sulejmani, në një analizë për “MCN Economy”, u shpreh se shifra është e lartë, por jo befasuese, pasi sipas tij sektori i ndërtimit ka funksionuar prej vitesh jashtë një kontrolli efektiv institucional.
Është një shifër e lartë, por duke pasur parasysh se prej vitesh i shohim me sy të lirë këto ndërtime dhe këtë betonizim, për mua kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Është pozitive që institucionet po i drejtohen më në fund këtij sektori, pasi problematikat kanë qenë të dukshme prej kohësh.
Anomalitë janë shfaqur prej vitesh. Kemi parë rritje të çmimeve dhe të investimeve që nuk përputhen me tregues të tjerë ekonomikë, si rënia e popullsisë, rënia e eksporteve apo zhvlerësimi i euros.
Ajo që qytetarët e shikonin me sy të lirë, institucionet duhej ta kishin evidentuar shumë më herët.
Sulejmani theksoi se rezultatet e publikuara janë pasojë e mungesës së kontrolleve sistematike ndër vite.
Ky sektor ka funksionuar për një kohë të gjatë jashtë çdo lloj kontrolli efektiv.
Nuk kemi pasur informacion të qartë se sa kontrolle janë kryer, sa raste janë referuar për hetim, sa konfiskime janë bërë dhe çfarë rezultatesh konkrete kanë prodhuar institucionet ligjzbatuese.
Fakti që për herë të parë po kryhen verifikime më të thelluara dhe po publikohen të dhëna konkrete, tregon përmasat reale të fenomenit.
650 milionë euro është një shifër shumë e rëndësishme dhe tregon se kemi të bëjmë me një sektor që ka nevojë për monitorim të vazhdueshëm dhe transparencë më të madhe.
Anomalitë duhet të marrin fund.



