
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu ka komentuar rritjen ekonomike që prezantuan sot në një konferencë për shtyp zv.kryeministri Arben Ahmetaj dhe ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delinda Ibrahimaj.
Përmes një postimi në rrjetete sociale, Agalliu thotë se sot shqiptarët janë më të varfër se dje. Ai më tej shkruan se rritja ekonomike me 17.9% është e gjitha propagandë dhe nuk është shifër reale.
“Rritje ekonomike 17.9% në tre mujorin e dytë të 2021!!! Lajm bombastik për realitetin shqiptar. Shifra është impresionuese, por padyshim shumë larg të vërtetës së hidhur të tavolinave shqiptare. Të thuash jemi rritur 17.9% kur shqiptarët kërkojnë të largohen çdo ditë është propagandë. Të thuash jemi rritur 17.9% kur papunësia vret familjet shqiptare çdo ditë e më shumë është propagandë. Të thuash jemi rritur 17.9% kur shqiptarët konsumojnë gjithmonë e më pak nga shtrenjtimi i çmimeve është propagandë. Të thuash jemi rritur 17.9% kur pagat janë ulur si rezultat i efekteve negative në ekonomi të pandemisë dhe keq qeverisjes është propagandë. Ndoshta 17.9% jemi rritur, por të marrin parasysh paratë që ju vidhen shqiptarëve çdo dite nga koncesionet, PPP, korrupsioni në administratën publike, etj. Pasuria e një grushti njerëzish patjetër që ndikon në rritjen ekonomike por jo sepse shqiptarët janë më mirë. Sot, ata janë më të varfër se dje. 17.9% thjesht një propaganda,”-shkruan ai.



