
Çmimi i vajit ushqimor në tregun e Kosovës është më i shtrenjti në gjithë botën, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Sot një litër vaj është shitur për 3.50 euro, nga më pak se 2.00 euro sa ka qenë dy ditë më parë.
Rritjen e çmimit të vajit Kurti e ka cilësuar artificial dhe të paarsyeshëm.
Anë e mbanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro, e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 cent do të ishte e rastësishme, por 3.49 euro nuk është e rastësishme kjo përputhje e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit. Kjo ka të bëjë me njerëzit që dëshirojnë të përfitojnë nga një krizë botërore dhe jo nga gjendja reale në vendin tonë.
Kurti deklaroi se nuk ka nevojë për panik, pasi vaj ushqimor për qytetarët e Kosovës ka edhe për një muaj.
U njoftuam se në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar, i cili pas përpunimit do të mjaftoj për rreth një muaj për konsumin që ekziston në vend. Është lajm që tashmë ka vaj të mjaftueshëm. Gjatë këtij muaji do të punojmë që të gjejmë alternativa ta reja me shtetet mike.
Ai tha se Qeveria do të angazhohet për bashkëpunim me shtete partnere që të sjellin lëndën e parë për ripërpunim të vajit.
Përveç çmimit të vajit, në tregun e Kosovës ditëve të fundit është ngritur edhe çmimi i bukës, miellit, derivateve të naftës, biletave të autobusëve dhe taksive.
Çmimet janë në trend të rritjes gjithandej, për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës.



