Sipërmarrësja dhe ekspertja e pasurive të paluajtshme, Ilda Zaloshnja thotë se rritja e çmimit të referencës së pronave nuk është e papritur, pasi çmimi real është shumë më i lartë.
Nga studio e “MCN Economy” ajo deklaroi se ndryshimi i çmimeve të referencës ka qenë një diskutim i gjatë dhe se kishte ardhur koha që çmimet e referencës të rifreskoheshin.
Sipas saj, në raport me çmimet reale, nuk janë të larta çmimet e referencës.
Nuk ishin të papritura çmimet e referencës, tregu ka reaguar prej kohësh, çmimet e referencës janë hartuar shumë vite më parë mbi referencat e asaj kohe dhe kishte ardhur koha të rifreskohej.
Unë mendoj se në zona të caktuara edhe çmimet e reja nuk e respektojnë çmimin e tregut. Çdo pasuri është e ndryshme nga tjetra, pasi për shkak të investimit dhe amortizimit që merren parasysh nga vlerësuesit e pasurive të paluajtshme, çojnë në faktin që çmimet e referencës duhet të jenë më të ulëta se ato të tregut.
Nuk mendoj se në Durrës kushton 2 mijë euro metri katror, mund të jetë një nga ato raste për tu rishikuar, por edhe 400 euro ka shumë e shumë vite që çmimi nuk është i tillë.
Ato zona kanë qenë pak të fjetura në numrin e transaksioneve imobiliare dhe interesin e blerësve dhe investitorëve dhe kanë qenë në vlera deri në 600-700 euro. Sot në zonën e Golemit ka ndërtime të reja që kanë dalë në treg me 1300-1400 euro metri katror.
Mendoj se 2000 euro metri, është një çmim i ekzagjeruar. Do kishte qenë mirë që ministria e Financave të na pyeste. Në zonën e Gjirit të Lalzit, ndërtimet e reja çmimet variojnë 2000-2500 euro metri katror. Por ka edhe objekte ku çmimi shkon 3 mijë euro metri katror.
Nuk janë të larta çmimet e referencës në raport me çmimet reale. Ajo që vret është taksa 15%.
Në Himarë çmimi i referencës është më pak se realiteti. Ne nuk e dimë metodologjinë që ka përdorur Ministria e Financës, por ndërtimet e reja kanë dalë 2500-3000 euro metri katror në Himarë dhe jo 1400 euro sa thotë Ministria e Financave.



