Arkitekti Gjergji Caca duke folur në “Mcn Economy” për ndërtimet pa leje tha që në ligj ka mbivendosje dhe mospërcaktim të saktë të disa objekteve. Sipas tij Shqipëria po kthehet në një vend si Brazili, ku po krijohen geto mes lagjeve të të pasurve dhe të të varfërve.
“Kryetari i Bashkisë së Shkodrës ishte në dijeni për ndërtimet në Theth, pasi e kishte promovuar në një story në faqen zyrtare. S’ishin objekte si kioskat, pasi kishin një bazament betoni. Ishin të inkastruara, të kapura në tokë. Vet ligji këto objekte s’i përcakton. Ka një hapësirë që shtëpitë e drurit s’përcaktohen në ligj çfarë janë. Strukturat s’ishin të zhvendosshme dhe toka ishte shtet.
Automatikisht je për ndjekje penale. Ligji përveç mbivendosjeve ka edhe mospërcaktim të saktë të këtyre objekteve. Ka mënyrë për ta përcaktuar, por s’është e përcaktuar në ligj. Te ligji jonë, ose te të gjitha ligjet, objektet e drurit janë një vrimë e zezë që s’kanë përcaktim. Duhet të rregullohej pastaj të shkonte aty. Quhet ndërtim i përkohshëm? I përhershëm?
Ne duhet të rregullojmë bazat pastaj të shkojmë te detajet, mënyra si përcaktohen, referencat, standardet që ne s’i kemi. Asnjërit në 30 vite s’i ka interesuar që ta fillojë nga zero. S’ke një rregull. Duhet të mendojmë një ditë si të ndërtohet ky vend, dhe jo të mendojmë çfarë do themi në Facebook.
Ne po kthehemi pak a shumë si Brazili, që futesh në një rreth muri që është lagje e pasur, dhe nga ajo duhet të dalësh me eskorta. Edhe në bregdet është bërë kjo gjë, sepse jepet me koncesion, pa koncension, qira, pa qira. Në 30 vite është vrarë ndërgjegjja e njerëzve. Publiku s’merr pjesë në asnjë vendimmarrje”.



