
Gjykata Evropiane e Auditorëve (ECA) njoftoi javën e kaluar se do të shqyrtojë mbikëqyrjen për post-programin financiar për Irlandën, Portugalinë, Spanjën, Qipron dhe Greqinë. Pesë vendet morën mbështetje financiare pas krizës financiare të vitit 2008.
Të gjitha vendet anëtare të BE-së zakonisht i nënshtrohen një mbikëqyrje standarde nën të ashtuquajturën Semestri Evropian, një cikël koordinimi ekonomik dhe politikash fiskale brenda BE. Nëse, një shtet anëtar përjeton vështirësi serioze financiare, ai mund të aplikojë për programin ndihmës financiar. Pas krizës financiare të vitit 2008, bëhet fjalë për Irlandën, Portugalinë, Spanjën, Qipron dhe Greqinë.
Pas daljes nga një program i asistencës financiare, një shtet anëtar i Eurozonës vendoset nën mbikëqyrjen e post-programit ose mbikëqyrje të zgjeruar (PPS), si në rastin e Greqisë. Qëllimi i PPS, i cili zbatohet së bashku me Semestrin Evropian, është të sigurojë që shtetet anëtare të jenë në gjendje të paguajnë ndihmën financiare që u është dhënë.
"Tani që ekonomia globale po ndikohet rëndë nga pandemia e COVID-19, është e rëndësishme të dihet nëse shtyllat e arkitekturës ekonomike dhe financiare të BE-së janë solide dhe efektive", tha Alex Brenninkmeijer, anëtar i ECA, përgjegjës për auditimin, dhe ish-Avokat i Popullit i Hollandës.
"Auditimi ynë do të konsiderojë përshtatshmërinë e mbikëqyrjes pas programit si një mjet monitorimi për fondin e rimëkëmbjes ekonomike" shtoi ai.
Qëllimi i auditimit është të bëj hartimin, zbatimin dhe efektivitetin e mbikëqyrjes së post-programit të Komisionit për pesë shtetet anëtare të interesuara. Auditimi - i cili duhet të përfundojë nga mesi i vitit 2021 - do të shqyrtojë veçanërisht nëse puna e Komisionit u krijon kreditorëve siguri në lidhje me aftësinë e vendeve anëtare për të ripaguar.
Sipas parashikimit të ECA-së që përshkruan auditimin e planifikuar, periudha minimale e mbikëqyrjes fillestare pas daljes nga programi i ndihmës financiare është koha e nevojshme për të shlyer 75% të kredive, por kjo mund të ndryshojë për shkak të shlyerjeve të parakohshme ose ristrukturimit të mëtejshëm. Periudhat aktuale të ripagimit ndryshojnë në mënyrë të ashpër, duke filluar nga 2027 (Spanjë), deri në 2031 (Qipro), 2040 (Portugali), 2042 (Irlandë) deri në 2070 (Greqi).
Vetëm Greqia mori 376 miliardë euro ose dy të tretat e ndihmës totale financiare për pesë vendet. Me një raport të borxhit të qeverisë ndaj PBB-së prej 177% në vitin 2019 - më i lartë që kur filloi të marrë kredi – kësisoj është një nga vendet më borxhlinj në botë. Raporti mesatar i borxhit në zonën e euros është 84% sipas Eurostat.
“Bruksel Times” e pyeti ECA për shanset që ka Greqia me borxhin e saj të madh dhe se a është në gjendje të shlyejë kreditë. "Informacioni është domosdoshmërisht i kufizuar në këtë fazë," auditorët u përgjigjën dhe nuk pranuan të sqarojnë nëse lehtësimi i borxhit ose anulimi do të përfshihet në fushën e auditimit.
Auditimi zhvillohet në mes të një krize të re ekonomike për shkak të pandemisë koronavirus. Si do të ndikojë kjo në auditim dhe në përfundimet e tij? "Sa më shumë të jetë e mundur, auditimi do të marrë parasysh ndikimin e pandemisë në vlerësimin e Komisionit për financat publike të shteteve anëtare dhe aftësinë e ripagimit të tyre," siguruan auditorët.



