Eksperti i Ekonomisë Arben Malaj tha në “MCN Economy” se amnistia fiskale mund të kthehet në një pengesë në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Malaj solli në vëmendje se amnistia fiskale nuk ka nxjerrë ndonjë vend nga kriza, por ka sjellë vetëm të ardhura spontane.
Qeveria deklaron se jemi vend sovrani dhe mund të ndërmarrim çdo ligj. Është e vërtetë që je vend sovran, por obligimi strategjik i shqiptarëve është integrimi në BE. Sapo janë çelur negociatat, në momentin që do të jesh vend anëtar patjetër që do zbatosh kriteret e tyre bazë. Kështu që amnistia fiskale mund të kthehet në pengesë. Testi nuk është a e kemi fuqinë ligjore ta miratojmë, por që ky miratim i njëanshëm a e cenon procesin e integrimit evropian apo jo. Ka të ardhura spontane por asnjëherë s’e kanë nxjerrë ndonjë vend nga kriza. Lidhur me mbledhjen e të ardhura, afërsisht ka të njëjtin ritëm. Sfida është përballimi i çmimeve dhe mbrojtja sociale, që s’është në masën e duhur. Sapo të rritet kostoja e parasë ajo do afektojë stabilitetin e financave publike në vendin tonë”.



