
Gazetari i ekonomisë Lorenc Rabeta tha në studion e emisionit “MCN Economy” se rritja e pagave është faktori bazë që përbën presionet e brendshme inflacioniste.
Duke vijuar, Rabeta theksoi se ka një sjellje disi negative të industrisë së hidrokarbureve. Sipas Rabetës, çmimi i naftës në Shqipëri duhet të ishte 170-175 lekë për litër, pra 10-15 lekë më pak sesa çmimi që tregtohet aktualisht.

Kemi presione inflacioniste nga brenda, që vijnë nga pagat dhe kostot e punës. Çfarë janë këto? Marrim një fabrikë konservash në Shqipëri që kryeteknologut ia bën pagën 2 milionë lekë, nga 800 mijë që e ka pasur para dy vjetësh.
Kjo do të rrisë çmimet e konservave në treg sepse si do e përballojë atë rritje të kostove. Është dhe kjo një prej faktorëve. Rritja e pagave është faktori bazë që përbën presionet e brendshme inflacioniste.
Tregtarët shqiptarë kanë sjellje shumë negative, i rrisin çmimet në një nivel dhe bëjnë të pamundurën t’i mbajnë në ato nivele.
Kemi dhe sjellje disi negative të industrisë së hidrokarbureve. Nafta në tregjet ndërkombëtare është 77 dollarë fuçia, çmimi real në Shqipëri duhet të ishte 170-175 lekë, ndërkohë që është 185 lekë. Kjo do të thotë që nuk ul dhe çmimet e produkteve të tjera se transporti është baza në çdo furnizim.



