Qeveria shqiptare është e vendosur të rrisë pagat dhe pensionet duke nisur nga data 1 janar 2017, ndërsa fondi për rritjen parashikohet në masën 110 milionë dollarë.
Burime nga ministria e Financave bëjnë të ditur për ATSH-në se kanë gati disa skenarë për masën e rritjes së pagave dhe pensioneve, por pritet të dakordësohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë financiare si FMN dhe Banka Botërore.
Sipas burimeve nga ministria e Financave, qeveria do t’i propozojë FMN-së dhe Bankës Botërore skenarin për një rritje pagash prej 10 % dhe pensionesh 3 %. Në një vizitë të parashikuar të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj në Uashington, pritet të diskutohet mbi buxhetin e vitit 2017 si dhe draftin për rritjen e pagave dhe pensioneve.
Angazhimi për rritjen e pagave dhe pensioneve është shprehur edhe nga kryeministri Edi Rama si dhe kreu i financave publike Arben Ahmetaj. Gjatë punimeve të seancës plenare të së enjtes, Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria është në diskutime për të bërë rritjen më të lartë të rrogave dhe të pensioneve.
“Tani flasim për një rritje nominale të rrogave dhe të pensioneve. Sa do jetë, si do jetë, është një çështje që do t’ju njoftojmë kur të vendosim. Pak, por e sigurtë është, që për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë reformave, për sakrificat që kanë bërë duke iu nënshtruar këtyre reformave, që po të ishin bërë 20 e kusur vite përpara, sot do të të flisnim për një Shqipëri komplet tjetër dhe për mbështetjen e madhe që na japin ne, patjetër është dhe kjo nuk diskutohet. Ne do t’ju bëjmë një rritje që është më e madhe se çdo vit kur Saliu ka rritur rrogat”, theksoi Rama.
Ndërsa duke folur në Asamblenë e Partisë Socialiste, Kryeministri Rama tha të shtunën se “qeveria vijon të diskutojë mbi buxhetin e ri të shtetit dhe do të jenë 100 milion dollarë në të për të rritur rrogat dhe pensionet, tani është momenti”.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi të enjten se rritja e të ardhurave gjatë tetëmujorit të parë të këtij viti me mbi 190 milionë dollarë, përbën një mundësi për rritjen e pagave dhe pensioneve.
“190 milionë dollarë më shumë janë të ardhurat gjatë tetëmujorit. Dhe këto të ardhura u rritën në një kohë kur nuk ka ndryshuar niveli i taksave. Kjo situatë ofron një mundësi të madhe të rritjes së pagave e pensioneve”, u shpreh kreu i financave publike.
Angazhimin për rritjen e pagave dhe pensione e ka vlerësuar pozitivisht edhe kryetari i Komisioni të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe, i cili thotë se është momenti për këtë hap. “Vendim i drejtë. 100 milionë dollarë për të rritur pagat dhe pensionet. Ka ardhur momenti dhe ai është tani!”, shkruan Braçe në rrjetin social ‘facebook’.
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste, anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Ervin Bushati shprehet se falë politikave të ndjekura nga kjo qeveri, vjen edhe lajmi i mirë për rritjen e pagave dhe pensioneve.
“Angazhimi ynë kur morëm besimin e shqiptarëve më shumë se tre vjet më parë ishte të rrisnim mirëqenien e tyre. Falë politikave të ndjekura nga kjo qeveri, vjen edhe lajmi i mirë për rritjen e pagave dhe pensioneve”, deklaroi Bushati.
Si anëtar i Komisionit të Ekonomisë, shprehet ai, propozimi im do ishte për një rritje në nivelin 10% të pagave dhe 3% të pensioneve. “Ne besojmë në miratimin nga Banka Botërore dhe FMN si partnere strategjike te vendit tonë”, deklaron Bushati.



