Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot marrëveshjen për procedurat doganore me Kosovën.
Në mbledhjen e sotme nën drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, komisioni shqyrtoi projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje-daljes së mallrave” .
Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile dhe tregtare”, si dhe projektligj “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen e pjesshme të zgjeruar për rrugët kulturore, miratuar me rezolutën CM/RES (2013) 66”.
Pas shqyrtimit, Komisionin për Politikën e Jashtme, miratoi tre marrëveshje të rëndësishme, duke nisur nga marrëveshja për procedurat doganore me Kosovën që hapin një tjetër dritare mundësish e zhvillimi për shqiptarët e të dy anëve të kufirit.
Marrëveshja e bashkëpunimit mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës synon zbatimin e lehtësirave reciproke të ndërsjella në procedurat doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve të mallrave.
Kjo është një marrëveshje e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët midis dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa sot kjo marrëveshje shkon në Parlament me qëllim lehtësimin e tregtisë midis dy vendeve duke njohur të gjitha licencat që ndodhen në pikat doganore, duke unifikuar kontrollet e vetëm një vendi, duke ulur kohën e kontrollit.



