Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj ftuan sot qytetarët që të investojnë në bonot e thesarit, pasi rritja e normave të interesit përbën një avantazh për të gjithë dhe sipas tyre risku është zero.
Kryeministri deklaroi:
Jemi në një fazë të rritjes së normave të interesit dhe pikërisht për këtë arsye pavarësisht shkaqeve që edhe këto janë të mirënjohur që lidhen me krizën e përgjithshme, rritja e normave të interesit është një avantazh për të gjithë ata që investojnë në bonot e thesarit që janë me risk zero. Për këtë arsye BSH ka rihapur sportelet që tua lehtësojë individëve aksesin në të gjitha degët e saj. Një hap pozitiv në funksion të kontakteve të drejtpërdrejta me qytetaret me BSH. dhe një shenjë kuptimplotë që banka u jep të gjithë atyre që dëshirojnë ose mund ta kthejnë investimin në bonot e thesarit me afatgjata. Kjo mundësi e krijuar nga kjo situatë për qytetarët dhe për çdo subjekt individ që dëshiron të përfshihet në investime në bonot e thesarit duke paguar një komision shumë më të vogël nga ajo që ofrojnë bankat e nivelit të dytë dhe duke i depozituar këto fonde në sportelet bankave dhe më pas duke i dorëzuar në Bankën e Shqipërisë”.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj tha:
Të flasim se si mund të ndërgjegjësojmë më mirë popullatën tonë për të investuar në titujt qeveritarë. Është një temë që nuk është prekur shumë pas normat e interesit nuk kanë qenë në nivelin që janë sot. Kemi folur për rritjen e energjisë elektrike, inflacionit dhe të gjitha masat që qeveria ka marrë për ndikimin e ekonomisë shqiptarë që ndikimi i luftës të ishte sa më i vogël. Nuk kemi prekur elementin e normave të interesit. Bankat qendrore që nga ajo e SHBA e ndjekur nga banka të tjera qendrore filluan të rrisin normat bazë të interesit. Edhe banka e Shqipërisë ka rritur normat e interesit. Në fillim kishte një normë bazë me 0.5, sot është 2.75%. Arsyeja pse jemi sot këtu dhe jemi mbledhur të flasim për të nxitur investimin e individëve në titujt qeveritarë. Individët kanë sot një mundësi investimi që ka kthime më të larta se mundësi të tjera që ekzistojnë në tregje. Janë tituj që emetohen dhe garantohet nga qeveria shqiptare. Flasim për bono thesari. Ne sot do të fillojmë një fushatë ndërgjegjësuese që të shpjegojmë si mund të investohet në bono thesari. Në ndihmën tonë ka ardhur edhe banka qendrore që ka hapur sportelet në 6 qytete me qëllim tregtimin e bonove të thesarit dhe informimin për procedurat që duhen ndjekur. Nëse bonot e thesarit tre mujore kishin normë të ulët sot kanë një normë interesi, 2.78%”.



