Ministria e Financave bëri me dije se ka përmbyllur përgatitjen e paketës së akreditimit për Programin IPARD III, duke shënuar, një hap të rëndësishëm drejt aksesimit të fondeve të Bashkimit Europian për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale.
Eksperti i zhvillimit rural Fatos Fico, e sheh si lajm të mirë, por thotë se jemi shumë mbas.
Nga studio e “MCN Economy”, ai deklaroi se nuk mund të ecet përpara me fonde të reja, pa paguar fondet që kërkohen mbrapsht, të cilat i cilësoi si “gjobë” nga Bashkimi Europian.
Nga njëra anë është lajm i mirë por problemi është se jemi shumë mbas. Edhe Kryeministri me përfaqësues të agrobiznesit tha se nëse hyrja në Bashkimin Europian do të ndodhë në 2030, hyrja faktike do të ndodhë në 2035. Gjëja e parë që duhet të ishte krijuar nga IPARD, do të ishte AZHBR, por AZHBR nuk e ka kryer rolin dhe ka hyrë Ministria e Financave.
Autoritetet europiane kërkojnë garanci nga ne meqenëse AZHBR nuk e luan rolin e saj dhe deri në atë moment do të mbështetet nga Ministria e Financave. Nuk kemi nevojë për krijim fabrikash të reja, por për krijimin e standardeve europiane. Se nuk janë problem stabilimentet, por praktikat që ndiqen në Bashkimin Europian.
Shpresoj që të mos kemi probleme dhe të ndërpritet prapë. Për rikthimin e fondeve të vjedhura që kërkohen mbrapsht, është gjë teknike. Si do të ecim përpara, kjo është një gjobë që do të duhet ta paguajmë ne dhe BE është i bindur që në momentin që e ke paguar, e ka marrë mësimin. Nuk besoj se mund të ecim përpara pa paguar, qoftë me këste apo mënyrë tjetër për shlyerjen me marrëveshje.
Patjetër që gjoba do të shlyhet. Ka dalë qartë se çfarë do të bëjmë me IPARD. Është konsideruar sikur IPARD financon fermerët, por IPARD financon industrinë e agropërpunimit, që një fabrikë qumështi, djathi apo agropërpunimi të jetë me të njëjtën cilësi me një fabrikë europiane.
Në tërësi të gjithë fermerët duhet të kenë standarde, që tek ne është proces i vështirë se ne kemi 300 mijë fermerë. Nga IPARD I dhe IPARD II kemi marrë 200 milionë euro dhe nëse do i kishim përdorur në mënyrën e duhur, do të ishim ndryshe.



