Koleksionisti Shpëtim Sala duke folur në “Mcn Economy” për pasionin e koleksionimit tha që ka mbi 10 mijë fotografi që lidhen me Shqipërinë. Sala vuri në dukje se në Shqipëri nuk zhvillohen ankande sepse nuk ka ligj për ankandet. Ai shtoi se duhen akte nënligjore që mundësitë për hapjen e muzeumeve, ekspozitave dhe ankandeve të jenë më liberale.

"Fillova të mbledh fillimisht monedha. E kisha të trashëguar nga gjyshi. Në përgjithësi të gjithë koleksionistët shqiptarë i kanë trashëguar koleksionet e tyre. Fillova të grumbulloj monedha, kartëmonedha shqiptare. Gjërat e huaja s’kanë fund, më mirë të mbledhim diçka shqiptare. Kam fotografi të hershme të shkollave të Korçës, shkollave shqipe. Fotografitë janë objektet më të hershme që disponoj. Mund të kem mbi 10 mijë fotografi që lidhen me Shqipërinë deri në vitin 1944. Më tepër punojmë me shkëmbim se sa me shitje objektesh. Ka disa njerëz në Shqipëri që merren me flamuj. Unë kam bërë më flamuj disa ekspozita për 100-vjetorin. Ka pasur raste që koleksionistë shqiptarë kanë marrë pjesë në ankande të rëndësishme, në Angli, Itali. Nuk zhvillohen ankandet në Shqipëri, sepse s’ka ligj për ankandet. E kam kthyer shtëpinë në një shtëpi flamujsh, ku janë varur të gjithë flamujt shqiptarë që datojnë nga 1905 deri vonë. Duhen edhe aktet nënligjore dhe mundësitë të jenë më liberale, për hapjen e muzeumeve, ekspozitave dhe ankandeve. Bëhet biznes me koleksionet, çdo gjë ka vlerë, u nënshtrohet ligjeve të ekonomisë së tregut”.



