
Banka e Anglisë ka paralajmëruar se pandemia e koronavirusit mund t’a çojë ekonominë e Britanisë së Madhe drejt një recesioni të thellë.
Banka qendrore tha se ekonomia mund të tkurret deri në 14 për qind këtë vit si pasojë e efekteve të pandemisë, recesion ky që do të ishte më i thelli në më shumë se tri shekuj.
Ajo parashikon rimëkëmbjen pas gjashtëmujorit të dytë, nëse lehtësohen masat e karantinës.
Strategjia e rihapjes ekonomike pritet të shpallet të dielën.
Këshilli mbikëqyrës informoi të enjten se kriza e koronavirusit do të prodhojë në gjashtëmujorin e parë të vitit një rënie në nivelin 30 për qind të prodhimit të brendshëm.
Përmirësime të mundshme mund të vërehen në gjashtëmujorin e dytë të 2020-ës, në varësi të rikthimit të aktivitetit ekonomik e gradualisht edhe të jetës së qytetarëve në një normalitet të ri.
Qeveria britanike parashikon që masat e izolimit social të lehtësohen duke nisur nga java e ardhshme.
Strategjia e rihapjes pritet të bëhet e njohur të dielën nga kryeministri Boris Xhonson.
Vendi ka konfirmuar mbi 200 mijë persona të infektuar me Covid-19 dhe më shumë se 30 mijë viktima.



