
Lidhur me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare informon qytetarët që kanë një kontratë për sigurimin e banesës nga katastrofat natyrore të kontaktojnë menjëherë shoqërinë e sigurimit për të njoftuar për dëmet e ndodhura. Ndërkaq, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare thekson se është e rëndësishme që njoftimi i shoqërisë së sigurimit të kryhet brenda afateve të përcaktuara në kontratën e sigurimit.
"Pasi të keni njoftuar zyrtarisht ndodhjen e ngjarjes së siguruar, një ekspert i shoqërisë së sigurimit do paraqitet në banesën/pronën e dëmtuar për të evidentuar dëmet. Bëni kujdes që njoftimi i shoqërisë së sigurimit të kryhet brenda afateve të përcaktuara në kontratën e sigurimit", njofton AMF.
AMF shpjegon se pas kësaj procedure, të prekurit nga tërmeti mund të kontaktojnë shoqërinë e sigurimit në adresën e selisë qendrore apo në zyrat që ajo ka në rrethin ku ndodhen për të njoftuar dëmtimet e ndodhura në banesën apo pronën e tyre. Ndërsa qytetarët që kanë marrë një kredi bankare mund të kontaktojnë bankën për t’u informuar nëse e kanë të siguruar banesën apo pronën e tyre, si dhe për të kërkuar asistencën që u nevojitet.



