Eksperti i çështjeve bujqësore Fatos Fico ngre shqetësimin për faktet se vetëm 30% e ushqimit që konsumojnë shqiptarët prodhohet në vend, ndërsa pjesa tjetër vjen nga importi.
Duke folur për “MCN Economy” ai deklaroi se potenciali i prodhimit në vend është shumë i ulët.
Nga ana tjetër ai e quajti dramatike TVSH-në finale për konsumatorin shqiptar, duke e cilësuar si një taksë shumë të rëndë për të gjithë ekonominë.
Sipas një studimi nga një grup ekspertësh të Bankës Botërore, jepet një shifër prej 30% të ushqimeve të blera për prodhimet vendase. Nëse llogarisim ushqimet nga importi dhe ato që merren në vend, vetëm 30% janë prodhime vendi, 70% janë prodhime importi.
Duhet theksuar se kjo blerje bëhet me para në dorë, ajo që njerëzit blejnë në dyqan. Se në zonat rurale kjo përqindje ndryshon, se familjet e prodhojnë vetë një pjesë të ushqimit.
Për një familje tipike shqiptare, ushqimi që sigurohet nga vendi është në përmasa shumë të ulëta. Çdo vend duhet të sigurojë sa më shumë të jetë e mundur sa më shumë ushqim nga territori i tyre.
Kemi kaluar drejt specializimit të fermave dhe po të analizojmë shifrat se sa eksportohet dhe importohet, pak a shumë janë të ngjashme, e njëjta sasi. Por duke parë se tregu vendas ka shumë problematika si TVSH-ja, TVSH-ja finale për konsumatorin shqiptar është një taksë shumë e rëndë për gjithë ekonominë. Krijon probleme për familjet.
Ne nuk jemi vend bujqësor dhe po shkojmë drejt ekonomisë së shërbimeve. Sa më shumë peshë të ketë bujqësia, aq më mirë do jetë për ne.



