Miratohet marrëveshja e huasë me BERZH-in për financimin e rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri

Miratohet marrëveshja e huasë me BERZH-in për financimin e rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri

Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi sot në mbledhjen virtuale të radhës tre projektligje:

Në drejtimin e kryetares, Mimi Kodheli, në cilësinë e komisionit parlamentar për dhënie mendimi, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen e huasë me BERZH-in për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri, marrëveshjen e huasë shtesë me fondin e Kuvajtit për zhvillimin ekonomik arab për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës dhe protokollin 6 shtesë të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Të tri projektligjet u prezantuan për komisionin nga dy zëvendësministret e Ekonomisë dhe Financave, Vasilika Vjero dhe Belinda Ikonomi.

Për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri”, Vjero qartësoi se financimi arrin shumën e 50 milionë dollarëve, e që gjithashtu, si projekt synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore, krijimin dhe rritjen e zhvillimit ekonomik të zonave në bashkitë Vlorë, Lezhë, Shkodër, Librazhd dhe Peshkopi, si rezultat i përmirësimit të potencialit të tyre turistik dhe zhvillimit të mëtejshëm të bujqësisë.

Në lidhje me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe fondit të Kuvajtit për zhvillimin ekonomik arab për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës”, Vjero saktësoi se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i paraprin nisjes së punimeve, e që përfitues prej projektit do të jenë 175 mijë banorë duke realizuar plotësisht qëllimin për të cilin është iniciuar: lidhja e shumë fshatrave të lumit të Vlorës me bregdetin. Pas pyetjeve dhe diskutimeve u miratuan të dy projektligjet.

Belinda Ikonomi prezantoi për komisionin projektligjin “Për ratifikimin e protokollit 6 shtesë të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”. Ky protokoll, pas ratifikimit të tij nga vendet anëtare, do të jetë pjesë integrale e marrëveshjes CEFTA. Protokolli përmban dispozita të cilat mbështeten në angazhimet e marra në kuadër të Marrëveshjes së Përgjithshme të Tregtisë në Shërbime (GATS) në OBT, duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin dhe diversifikimin e tregtisë ndërmjet palëve dhe për nxitjen e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik në shërbime. Komisioni për Politikën e Jashtme, pas pyetjeve dhe diskutimeve, e miratoi edhe këtë projektligj.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës së komunikimit elektronik CISCO WEBEX.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy