Urbanisti Gentian Kaprata dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko e shohin të pamundur që procesi i legalizimit të përfundojë brenda vitit 2028.
Duke folur për emisionin “MCN Economy”, Kaprata tha se legalizimi është parë si një formë e mirë për të fituar vota dhe se aktualisht ndërtimet pa leje janë shtuar.
Ndërsa Soko shprehet se, ndërtimet pa leje një prej faktorëve kryesorë të deformimit të votës.
Sipas tij, është e papranueshme që për tokat e zëna të paguajë taksapaguesi shqiptar.
Kaprata
Është e pamundur që procesi i legalizimeve të mbyllet në vitin 2028. Në këtë moment vijon ndërtimi pa leje në Shqipëri. Legalizimi u pa si një formë shumë e mirë për të fituar vota. Sot kemi më shumë se 500 mijë ndërtime pa leje në total. Kjo përdoret për arsye votash. Këtu ka futur duart shteti dhe në çështjen e pronësive, është tjetërsuar prona.
Nuk është thjesht proces legalizimi që shteti të njeh ndërtimin. Është e pamoralshme se shteti nuk mund të më marrë mua një pronë dhe ta japë ty, duke thënë se është një e mirë publike. E para duhet kuptuar se nuk ka një lidhje të tokës me ndërtesën.
Duhet legalizuar ndërtesa dhe prona atij që i takon. Nuk ka pse të ketë pronësi toke, një person që nuk ka pasur as tokë dhe as ndërtesë. Secili duhet të marrë pjesën e vetë, janë mekanizmat e tregut që e rregullojnë. Mazhoranca kontrollon 99% të ndërtimeve, me apo pa leje qofshin.
Soko
Aktualisht janë rreth 300 mijë ndërtime në pritje për t’u legalizuar, është e pamundur që t’i dilet brenda 2028-ës. Inventari i ndërtimeve pa leje vijon të shtohet nga viti në vit.
Shteti mbyll sytë dhe kur mbyll sytë shteti, fillojnë ato ndërtime lëvrojnë, një shtesë kati, një ndërtim më shumë. Mbaron fushata dhe fut letrat për legalizim. Është një ndër mënyrat se si është konvertuar vota në Shqipëri.
Një mënyrë për blerjen e votës, ka luajtur prona. Pjesa më e madhe e këmbimit nuk bëhet me para, por me ndere nga pushteti. Pjesa më e madhe dërrmuese bëhet me prona. Se me para paguan për një individ, por me një leje ndërtimi për familjet e mëdha ti merr 20 vota. Që në kohën e Berishës u kuptua se këtu më tepër se çdo gjë vlen prona.
Me legalizimet është vrasje e të drejtave të njeriut, nuk mund të legalizosh një gjë jo legale. Nëse nuk ka marrëveshje me pronarin e tokës, është vjedhje, grabitje, nuk është legalizim. Marrëdhënia mes individëve në tregun e lirë, është parësorja.
Ti mund ta ndërtosh, por për ta legalizuar duhet të shkosh te pronari i tokës. Është e papranueshme që për tokat e zëna të paguajë taksapaguesi shqiptar.
Rama e kuptoi pushtetin e ndërtimit dhe për këtë arsye i mori për vete të gjithë kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimit.



