
Shtyhet afati i kolaudimit të automjeteve për qytetarët që e kanë për ta kryer brenda janarit.
Lajmin e ka njoftuar vetë ministrja Belinda Balluku, në një dalje për mediat.
Balluku nuk dha afat të ri, por shtoi se kjo do të njoftohet më 1 janar.
“Procesi i kolaudimit, koncesioni përfundon më 31 janar. DPSHTR ka kapacitetet e mundshme për të mbuluar këtë shërbim duke marrë në dorëzim të gjitha asetet që koncesionari e ka detyrim ligjor për të dorëzuar. Megjithatë ky do jetë proces që do marrë kohë. Për arsye të pandemisë, do të ketë shtyrje afati që do të bëhet publik shumë shpejt. Duke e përfunduar në 2-3 ditët në vazhdim. Do të bëhet e ditur më 1 janar se kur do të shtyhet kjo datë”, tha Balluku.
Koncesionin e kontrollit teknik të automjeteve e ka mbajtur kompania SGS. Shërbimi do t'i kalojë DPRRTSH-së, kreu i të cilës në një intervistë për TvT në fillim të muajit tha se pikat e kolaudimit në vend do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë.



