Qëndresa Qytetare ka paraqitur një paketë masash që synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe forcimin e ekonomisë vendase, në një kohë kur familjet shqiptare po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve.
Në MCN TV, Kolindo Vjerdha theksoi se situata aktuale kërkon ndërhyrje konkrete dhe të menjëhershme. Sipas tij, një nga propozimet kryesore është rishikimi i sistemit fiskal përmes aplikimit të TVSH-së së diferencuar për produktet bazë dhe shërbimet jetike.
Familjet shqiptare po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve për ushqimet, karburantet dhe mallrat bazë. Në këtë situatë, ajo që ne propozojmë për mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin e ekonomisë vendase është që barra tatimore të mos rëndojë njësoj mbi produktet bazë të shportës
Ai ndaloi gjithashtu te nevoja për rishikimin e strukturës së çmimit të karburantit, duke theksuar ndikimin zinxhir që ka ai në ekonomi.
Karburanti i shtrenjtë penalizon fermerin shqiptar, rrit çmimin e produkteve vendase dhe i bën ato më pak konkurruese në treg.
Në vijim, Vjerdha nënvizoi rëndësinë e krijimit të një skeme të qartë subvencionimi për bujqësinë dhe blegtorinë.
Shqipëria nuk mund ta mbështesë sigurinë ushqimore vetëm te produktet që vijnë nga Turqia, vendet e Amerikës së Jugut apo shtetet fqinje të Ballkanit.



