
Vendet e Ballkanit Perëndimor do të përmirësojnë gjendjen e korridoreve kryesore të transportit dhe do të zgjerojnë tregtinësi rezultat i mbështetjes nga Banka Botërore përmes një projekti të ri të njoftuar sot. Projekti me vlerë 150 milionë dollarë ka si synim lehtësimin e tregtisë dhe transportit përmes përmirësimit të pikave të kalimit kufitar, efikasitetit të shërbimeve të logjistikës dhe futjes së teknologjisë inteligjente në transportin e mallrave dhe pasagjerëve duke përshpejtuar proceset në pikat doganore.
“Qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të përfitojnë nga një kosto më e ulët e transportit dhe zgjerimi i tregtisë si rezultat i projektit prej 150 milion $ të lehtësimit të tregtisë dhe transportit” tha Kristalina Georgieva, drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Bankës Botërore.
Sipas Bankës Botërore, përfitimet nga ky projekt llogariten në rreth 1 miliard $ në vit, çka do të nxisë rritjen ekonomike dhe shtimin e vendeve të punës.
Georgieva e bëri këtë njoftim në Konferencën për një Integrim më të Gjerë të Vendeve të Ballkanit, organizuar nga kryeministri bullgar, Boyko Borissov. Në konferencë ishin të pranishëm edhe liderë të vendeve të rajonit si kryeministri shqiptar, Edi Rama; presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi; kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.



