Marka ofron një mbrojtje të dyfishtë si për biznesin, ashtu edhe për konsumatorët, prandaj regjistrimi i saj është një ndër faktorët kyç për të ndërtuar një kompani të suksesshme, sugjeron Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Ministrja Anila Denaj, ka bërë të ditur sot përmes një njoftimi se deri më tani janë regjistruar 4100 aplikime të individëve dhe bizneseve në vitin 2020, për regjistrimin e markës.
Sipas saj, kjo shifër tregon rritjen e ndëgjegjësimit të biznesit për të mbrojtur të drejtat e pronësisë industriale.
“Do të vijojmë të jemi mbështetje, për të mbrojtur konkurrencën dhe për të përmirësuar klimën e të bërit biznes. Regjistroni markën tuaj, mbroni biznesin, siguroni autenticitetin në treg”, shprehet Denaj.
Gjatë vitit 2020, Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale, zhvilloi 120 takime nëpër biznese, duke prekur 19 qytete dhe rrethe të Shqipërisë. Si rezultat i këtyre takime dhe fushatës ndërgjegjësuese, u shënuan 4100 aplikime për markë, nga të cilat 1164 aplikime kombëtare.



