Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare u kërkon shoqërive të sigurimit pezullimin e çdo procedure për shpërndarje dividendi, pezullimin e paradhënieve për aksionerët e shoqërive, si edhe një qasje të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë.
Vendimi vjen në një kohë kur situata e izolimit për shkak të pandemisë ka paralizuar ekonominë dhe ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe sigurimeve.
“Në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve,(EIOPA), si edhe rregullatorëve të tjerë homologë, AMF u kërkon shoqërive të sigurimit, marrjen e masave dhe kujdes të shtuar me qëllim ruajtjen e likuiditetit dhe treguesit e tyre financiarë. AMF mbetet e angazhuar për një mbikëqyrje efektive në funksion të mbrojtjes së personave të siguruar dhe ruajtjes së stabilitetit financiar”, thuhet në njoftimin e AMF-së.



