
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, bën të ditur se në kuadër të zbatimit të ligjit të Fiskalizimit, deri në datë 1 janar 2022 nuk do të aplikohen penalitete.
“Qasja jonë ndaj biznesit do të jetë edukuese dhe këshilluese, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit, zbatimin sa më të lehtë dhe raportimin në kohë reale”- tha Denaj.
Ministrja informoi se, që prej datës 1 janar 2021 ka filluar procesi i Fiskalizimit ndërmjet tatimpaguesve dhe institucioneve publike, ndërkohë që prej 1 korrikut 2021 ky proces përfshiu dhe tatimpaguesit që kryejnë transaksione pa para në dorë ndërmjet tyre, ndërsa në 1 shtator 2021 do të përfundojë procesi i Fiskalizimit pasi do të bashkohen dhe tatimpaguesit që kryejnë transaksione me klientë me para në dorë.
“Me miratimin e aktit normativ “Për një shtesë në ligjin ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, nuk do të aplikohen, deri në datën 1 Janar 2022, penalitete që rrjedhin nga zbatimi i ligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.
Sipas saj, situata, me të cilën vazhdon të përballet vendi si rezultat i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ka bërë të nevojshme krijimin e një kuadri rregullator që ndihmon tatimpaguesit në plotësimin e detyrimeve të tyre që rrjedhin nga ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i ndryshuar, sipas dhe në përputhje me datat respektive të fillimit të efekteve të tij, pa qenë nevoja që mbi ta të aplikohen dënimet administrative të parashikuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
“Në këtë mënyrë qasja e administratës tatimore do të jetë edukuese dhe këshilluese me qëllim: Rritja e efektivitetit të procesit të fiskalizimit, duke e bërë sa më të thjeshtë për komunitetin e biznesit dhe duke mos pasur si qëllim penalizimin e tyre; Mbështetja e komunitetit të biznesit në përshtatjen sa më të shpejtë dhe sa më të mirë me këtë sistem/proces të ri të fiskalizimit, i cili mundëson një metodologji raportimi në kohë reale ndërmjet Administratës Tatimore dhe Tatimpaguesve”- deklaroi Denaj.



