Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri të premten deklaroi se ndërtimi i dy veprave nga qeveria Rama (Skavica dhe tuneli i Llogarasë) ka ngritur dyshimet se ku do të gjenden parat për ndërtimin e tyre, duke pasur parsysh gjendjen e financave publike.
I ftuar përmes një lidhje me Skype në studion e lajmeve të televizionit TVT, Tomorri theksoi se në lidhje me këto dy projekte që qeveria ka marrë përsipër të ndërtojë, ka disa vlerësime paraprake, që bëjnë me dije se tuneli prej 6 km i Llogarasë mund të shkojë deri në 200-300 milionë euro.
“Pra, 200-300 milionë tuneli dhe 600 milionë euro të tjera Skavica, janë gati 1 miliard euro. Unë nuk e di se ku mund t’i gjejë buxheti i shtetit gati 1 miliard euro për të financuar dy vepra kaq të mëdha, duke parë gjendjen që janë sot financat publike të Shqipërisë, duke parë faktin se qeveria nëse nuk do të kishte arritur të emetonte eurobondin nuk do të kishte para të paguante as rrogat dhe as pensionet, duke parë faktin se vetëm një muaj e pak më parë buxheti apo financat publike u shpëtuan nga kriza e likuiditetit dhe kjo falë kredisë emergjente të FMN-së”, tha Tomorri.
Pyetje: Kryeministri Rama prezantoi ditën e sotme hapjen e garës për tunelin e Llogarasë, i cili deklaroi se forma e financimit nuk do të jetë me PPP, por sipas buxhetit të shtetit. Sa parashikohet të jetë vlera e financimit dhe ku do të gjenden këto para?
Tomorri: Kjo histori po bëhet gati qesharake pasi po hapet një garë për një projekt-ide. Nuk ka qeveri që i bën reklamë vetes, duke bërë gjithë ato aktivitete të mëdha për të promovuar veten përmes këtij tenderi për një projekt-ide. Ky nuk është rasti i parë dhe e njëjta gjë ndodhi me Skavicën pak ditë më parë, ku qeveria reklamoi gjithë atë pompozitet dhe për çfarë, se do të fillonte procedurat e përgatitjes së projektit. Kjo është arsyeja se pse për këto vepra nuk mund të thuhet kostoja e saktë, pasi nuk e di askush. Fillimisht duhet të bëhet projekti dhe në fund del kostoja e përllogaritur apo e përafërt me projektin.
Megjithatë, ka disa vlerësime paraprake që bëjnë me dije se tuneli prej 6 km i Llogarasë mund të shkojë deri në 200-300 milionë euro. Pra, 200-300 milionë tuneli dhe 600 milionë euro të tjera Skavica, janë gati 1 miliard euro. Unë nuk e di se ku mund t’i gjejë buxheti i shtetit gati 1 miliard euro për të financuar dy vepra kaq të mëdha, duke parë gjendjen që janë sot financat publike të Shqipërisë, duke parë faktin se qeveria nëse nuk do të kishte arritur të emetonte eurobondin nuk do të kishte para të paguante as rrogat dhe as pensionet, duke parë faktin se vetëm një muaj e pak më parë buxheti apo financat publike u shpëtuan nga kriza e likuiditetit dhe kjo falë kredisë emergjente të FMN-së.
Qeveria shqiptare po vepron se pas proverbit popullor: “peshku në det dhe tigani në zjarr”, sepse ajo s’ka bërë gjë tjetër veçse ka hapur garën për dy projektide. Që është A-ja ose pika zero e një investimi.
Pyetje: Investimet kapitale të katër mujorit tregojnë se qeveria ka dhënë para kryesisht për koncesione rrugësh dhe inceneratorësh. Sa para janë dhënë nga buxheti për rrugën e Kombit dhe si është bërë llogaria në kohën e pandemisë?
Tomorri: Kontrata koncesionare për rrugën e Kombit bazohet në një trafik të garantuar nga ana e qeverisë, nëse nuk do të gaboj janë rreth 4 mijë e 500 mjete që duhet të kalojnë në ditë. Në rast se kalojnë më pak qeveria i paguan diferencën koncesionit. Për katër muajt e parë të vitit sipas të dhënave nga Ministria e Financave kompanitë janë paguar 367 milionë lekë. Këtë vit për shkak të bllokimit të udhëtimeve, kufirit dhe pandemisë trafiku në rrugë ka qenë i ulët shteti do të paguajë më shumë para për këtë koncesion këtë vit, krahasuar me ato që ka paguar në vitet normale. Nëse nuk gaboj vitin e kaluar janë paguar rreth 680 milionë lekë, por këtë vit besoj se shuma do të jetë më e madhe.
Tashmë, dihet se shumica e parave që janë dhënë për investimet publike kanë shkuar për kompanitë koncesionare. Janë 14 kontrata që marrin para nga buxheti i shtetit. Për disa prej tyre, këtë vit, qeveria ka realizuar një shkurtim fondesh për parashikimin që duhet të paguajë. Megjithatë, ky shkurtim është thjeshtë një shtyrje, pasi këto para do t’iu paguhen kompanive koncesionare në vitet që do pasojnë, madje duke filluar që nga viti tjetër.
Pyetje: Qeveria po përgatitet që të ndërhyjë në buxhet për shkak të situatës për të cilën ne ndodhemi, por ne do të donim të dinim se çfarë zërash pritet të ndryshojnë në investime në para apo në politika fiskale?
Tomorri: Nuk mendoj se do të ketë ndryshime tek pjesa e pagave dhe pensioneve. Nuk mendoj se qeveria do të marrë përsipër një guxim të tillë për të prekur pagat dhe pensionet në një kohë të tillë politike, pasi edhe vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërhyrja e parë do të jetë ajo e rritjes së difiçitit buxhetor. Aktualisht me aktin e dytë normativ që u miratua para dy muajsh, pra difiçiti buxhetor ose huamarrja e parashikuar e qeverisë për këtë vit është 68 miliardë lekë. Me rishikimin e ri të buxhetit pritet që defiçiti të rritet deri në 680 milionë euro, çka do ta çonte defiçitin buxhetor në gati në 5 për qind e GDP-së. E thënë shkurt, ndryshimi i buxhetit do të reflektojë në rritjen e mëtejshme të borxhit publik. Ndërsa, në lidhje me politikat fiskale të paktën referuar asaj që ka lajmëruar qeveria është thënë se në muajin korrik do të miratohet ligji që heq tatim-fitimin për bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë. Kjo do të jetë politiak e re fiskale që do të miratohet nga qeveria.
Pyetje: Qeveria do ti kalojë Agjencisë së Bregdetit kompetencat e dhënieve të lejeve apo investimeve në bregdet. Për çfarë arsye është marrë një vendim i tillë dhe çfarë do të sjellë kjo?
Tomorri: E para kjo tregon kaosin e qeverisë shqiptare. Në fillim krijohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës e cila bashkon të tre institucionet që kanë lidhje me pronën dhe i unifikon në një institucion të vetëm. Më vonë ndërhyet sërish dhe i kalojnë kompetencat Agjencisë së Bregdetit. Ju e dini veçanërisht se gjatë viteve të fundit në bregdet se si po tjetërsohen pronat. E kemi parë se çfarë ka ndodhur në kadastrën e Vlorës, e cila është shndërruar në punën më të rrezikshme në botë. Pasi, vetëm në katër apo pesë muaj janë ndryshuar mbi 15 drejtorë.



