
Pothuajse çdo familje shqiptare vazhdon të përballet me konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie. Shpeshherë, këto probleme kërkojnë ndërhyrjen e avokatëve ndërmjetës për të shmangur gjyqet e stërzgjatura dhe të kushtueshme.
Avokatja dhe ndërmjetësja Drita Avdyli, e ftuar në “MCN Informacion”, u shpreh se në shumicën e rasteve, ndërmjetësimi ndihmon në shmangien e proceseve të gjata gjyqësore në lidhje me pronat.
Sfidat me pronat kanë qenë gjithmonë një nga problemet më të mëdha, jo vetëm për qytetarët, por edhe për institucionet. Duke ardhur nga një sistem tjetër politik, procedurat e kalimit të pronësisë kanë sjellë paqartësi dhe janë keqpërdorur rëndë.
Me këtë rast ndërmjetësimi, përveçse është një mënyrë ligjore për zgjidhjen e konflikteve, është gjithashtu më i shpejtë, më i besueshëm dhe ndihmon në ruajtjen e marrëdhënieve njerëzore, shpesh të cenuara nga konfliktet për pronën.
Ndërmjetësimi është një drejtim edhe social, sepse ndihmon në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes familjarëve, farefisnisë dhe komunitetit.
Avdyli shtoi gjithashtu se titulli ekzekutiv ndihmon në shmangien e nevojës për procese të gjata dhe të vështira gjyqësore, duke mundësuar zgjidhje më efikase për palët e përfshira.
Ndërkohë, inxhinieri topograf Rajmond Dervishi theksoi problematikën e mbivendosjes dhe keqvendosjes së pronave, duke e lidhur atë me përdorimin e hartave të vjetra, që datojnë që nga vitet ’50.
Edhe sot, sistemet e regjistrimit të pasurive të paluajtshme mbështeten në harta të vjetra, të cilat në të kaluarën janë përdorur për nevoja të fermave dhe ndërmarrjeve bujqësore, dhe nuk përfaqësojnë saktësinë e nevojshme për pronësinë individuale.
Ai sqaroi dallimin mes dy termave kryesorë:
Mbivendosje: kur dy persona kanë tituj të ndryshëm për të njëjtën parcelë ose pronë dhe të dy pretendojnë pronësinë mbi të njëjtin objekt.
Keqvendosje: ndodh kur një pronë është regjistruar gabimisht në vendndodhje të pasaktë, shpesh si pasojë e referimit te harta jo të sakta ose mungesës së ekspertizës teknike në procesin fillestar.
Në shumë raste, palët përfundojnë në gjykatë pa u konsultuar më parë me një ekspert, avokat apo ndërmjetës. Vetëm në fund të procesit zbulojnë se bëhet fjalë për një mbivendosje dhe se vendimi i gjykatës mund të jetë ndryshe nga sa kishin pritur.
Sipas Dervishit, sistemi duhet të përditësojë hartat që nuk përputhen me realitetin në terren.
Nuk mund të vazhdojmë të punojmë me harta të viteve ’50.
Ato nuk janë të përshtatshme për zgjidhjen e saktë të çështjeve pronësore në kohët moderne.
sistemi duhet të përditësojë hartat dhe të largohet nga varësia ndaj dokumenteve të vjetra, që nuk përputhen me realitetin në terren.



