
Qeveria duket se synon një transformim të modelit aktual industrial të bazuar kryesisht te fasoneria. Të paktën ky është vizioni i paraqitur në Draft-Strategjinë Kombëtare Industriale 2026–2030.
Kreu i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Edvin Prençi, deklaroi në “MCN Economy” se sektori i industrisë po përballet me vështirësi të mëdha dhe se kërkesat e biznesit për politika mbështetëse kanë mbetur pa përgjigje prej vitesh.
Që nga viti 2021 shoqata ka paraqitur analiza, projekte dhe propozime konkrete për mbështetjen e industrisë, por ato nuk janë marrë në konsideratë nga institucionet.
Po ta lexosh strategjinë në letër, duket si një mrekulli. Por realiteti është krejt ndryshe.
Sektori po rënkon dhe nuk mund t’i kërkosh biznesit të modernizohet, të investojë në inovacion dhe teknologji, pa krijuar më parë politika motivuese që e bëjnë të mundur këtë proces.
Prençi ngriti shqetësimin për kursin e këmbimit dhe rritjen e kostove, të cilat sipas tij po godasin konkurrueshmërinë e eksportuesve shqiptarë.
Gjatë muajit mars dhe në fillim të prillit, biznesi i ka paraqitur qeverisë një paketë me tetë kërkesa, ndër të cilat edhe rritjen e normës së amortizimit në 40%, me qëllim krijimin e më shumë likuiditetit për kompanitë.
Kjo kërkesë nuk është marrë parasysh. Ekziston një hendek mes politikave që hartohen dhe realitetit që përjetojnë sipërmarrjet çdo ditë.
Sektori fason dhe industria përpunuese kanw mbi 65 mijë persona dhe gjenerojnë afro 1 miliard euro eksporte në vit. Megjithatë, eksportet po shënojnë rënie, ndërsa deficiti tregtar po zgjerohet.
Për ecurinë e sektorit nëse nuk ndërmerren masa konkrete mbështetëse, institucionet duhet të kuptojnë më mirë problematikat reale me të cilat përballen jo vetëm eksportuesit, por e gjithë ekonomia prodhuese e vendit.



