Kreu i AKEP-it në Kuvend: Heqja e tarifave roaming, arritje themelore në fushën e konektivitetit

Kreu i AKEP-it në Kuvend: Heqja e tarifave roaming, arritje themelore në fushën e konektivitetit

Kryetari i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, Tomi Frashëri gjatë raportimit të sotëm në Kuvend, e cilësoi heqjen e tarifave roaming në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si një arritje themelore në fushën e konektivitetit.

“Zhdukja e çdo dallimi apo barriere tarifore mes përdoruesve të telefonisë celulare në 6 vendet e Ballkanit perëndimor, përmes implementimit nga të gjithë operatorët rajonalë të shërbimeve të njësuara Roaming përbën një arritje themelore në fushënH e konektivitetit. Që prej ditës së sotme, 1 korrik 2021, falë punës së përbashkët të 6 qeverive, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, të rregullatorëve si dhe falë angazhimit maksimal e të vyer të operatorëve, çdo përdorues i shërbimeve roaming në hapësirën ekonomike të Ballkanit Perëndimor do të mund të ndihet mirëfilli qytetar i një rajoni të ndërlidhur në mënyrë optimale dhe jo më thjesht konsumator me trajtim të diferencuar nga një vend në tjetrin. Roaming do të jetë tanimë aq i thjeshtë dhe i lirë sa përdorimi i përditshëm i telefonit në shtëpi”, tha ai teksa prezantoi në Kuvend raportin vjetor të AKEP-it.

Sipas Frashërit, është vërtetë një arritje e madhe në kuadrin global të integrimeve të harmonizuara dhe në kuadrin më specifik të ndërlidhjes përmes komunikimeve elektronike dhe digjitalizimit, duke i dhënë kështu europianëve të Ballkanit Perëndimor, mundësi të barabartë dhe gjithmonë e më shumë cilësore.

Duke folur për raportin e punës për vitin 2020, vit i pandemisë së përbotshme, Frashëri tha se AKEP u vu përpara mjaft përgjegjësive kyçe, sikundër edhe përpara mjaft të papriturave.

“U fokusuam menjëherë mbi tri përparësi, jo vetëm për të vijuar me detyrat tona funksionale, por edhe për të përmbushur angazhimet tona në kuadër të sforcos kombëtare për përballimin e situatës së rënduar sanitare. Pikësëpari, ndonëse me një staf tepër të reduktuar, AKEP u strukturua si një ndërfaqe mes institucioneve, shërbimeve publike dhe sipërmarrëseve të komunikimeve elektronike për të siguruar një paketë të plotë të solidaritetit digjital. Gjithë duke u kujdesur në çdo moment, në partneritet me operatorët, për të garantuar qëndrueshmërinë e një rrjeti të mbingarkuar, u bë i mundur dyfishimi i kapaciteteve, dhënia falas e një sërë aksesesh në shërbime mjaft cilësorë broadband, hedhja në treg e një sërë ofertash të optimizuara në çmime dhe shërbime, të aksesueshme për të gjitha shtresat e popullsisë”, u shpreh kreu i AKEP-it.

Së dyti, tha ai, AKEP i kushtoi një vëmendje të posaçme zbatimit të rezolutës së Kuvendit.

Të tilla ai renditi përfundimin e analizave të tregjeve të akses origjinimit dhe terminimit ndërkombëtar, miratimin e rregullorës së re të konsumatorit, përcaktimin e ofruesit të shërbimit universal postar, ndjekjen me përparësi dhe sanksionimi, përmes monitorimit, inspektimeve, dhe masave administrative të marra, të mangësive kundrejt konsumatorëve nga ana e sipërmarrësve të komunikimeve elektronike dhe atyre të shërbimeve postare.

AKEP dha kontributin e tij në draftimin dhe miratimin e dy dokumentave madhorë, Strategjinë spektrale dhe Planin kombëtar Broadband që, për sa i përket ecurisë së dixhitalizimit në vendin tonë dhe në rajon si dhe zhvillimit të internetit në gamën e tij më të gjerë dhe cilësore broadband, do të kornizojnë punën tonë si rregullator në muajt dhe vitet në vijim.

Gjatë vitit 2020, tha ai, pjesa e pajtimtarëve që përdori shpejtësi me më shumë se 10Mbps arriti në 67% krahasuar me rreth 41% që ishte një vit më parë. Trafiku i internetit broadband nga rrjete fikse arriti në rreth 600 milionë GB, ose rreth 32% më shumë se viti 2019.

“Për arsye të një përdorimi masiv të telefonisë së lëvizshme, përmirësimi i cilësisë dhe shpejtësisë së internetit të lëvizshëm ka qenë gjithashtu një nevojë që operatorët e mëdhenj vendas të telefonisë janë duke e përmbushur progresivisht. Volumi i të dhënave të transmetuara nëpërmjet internetit në rrjetet mobile, arriti në rreth 89 milionë GB. Kjo përbën një rritje rreth 28.6% krahasuar me vitin 2019”, informoi Frashëri.

Sipas tij, instalimi i infrastrukturave dhe sistemeve 4G dhe 4G+ përmes përdorimit masiv të brezit të frekuencave 800 Mhz, është një nga arsyet e përmirësimit të ndjeshëm të performancës broadband të këtyre operatorëve.

Në kontekstin e nënshkrimit të Memorandumit mbi teknologjitë e pastra 5G nënshkruar mes Republikës së Shqipërisë dhe SHBA, Frashëri tha se AKEP do të mbetet njësoj i angazhuar në jetësimin e synimeve për të avancuar, në përputhje me partneritetet tona strategjike, drejt rrjeteve dhe teknologjive të pastra, si një parakusht për shoqërinë dixhitale, për të garantuar besueshmërinë e demokracisë, paprekshmërinë e jetës private, shtetin ligjor, integritetin dhe interoperabilitetin e sistemeve të vendeve të botës së lirë.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy