Disa muaj më parë, punëtorët nga Ballkani Perëndimor ishin ndër më të kërkuarit në Gjermani. Madje qeveria e Angela Merkel miratoi edhe një ligj të ri, që u krijonte lehtësira aty për të shkuar në Gjermani, e për të punuar aty.
Por me shpërthimin e pandemisë, situata ka ndryshuar. Si rezultat i numrit të madh të papunëve për shkak të krizës pandemike, koalicioni gjerman CDU/ CSU po planifikon që të ndalë numrin e madh të fuqisë punëtore nga Ballkani.
Gazeta gjermane “Welt am Sonntag” shkruan se kufizimet do të kryhen në bazë të vendimit të 2016-tës për lehtësimet për qytetarët e Ballkanit. Grupet punuese të fraksionit qeverisës janë pajtuar që lehtësimet, që skadojnë në fund të vitit, t’i vazhdojnë për edhe dy vjet, por në të njëjtën kohë janë pajtuar që të kufizohet mundësia e shfrytëzimit të tyre për fuqinë punëtore të pakualifikuar të Ballkanit.
“Jemi në një rënie të madhe ekonomike dhe tani kemi 600.000 të papunë më shumë sesa një vit më parë. Në një gjendje të tillë, mosndryshimi i rregullores për Ballkanin Perëndimor nuk përbën opsion. Prandaj po bëjmë fushatë për kufizim të qartë të rregullores: dy në vend të pesë vjetëve dhe një kuotë vjetore prej më së shumti 15.000 vetash”, tha Mathias Middelberg, zëdhënës i koalicionit qeverisës për politika të brendshme në Bundestag.



