
Fill pas lajmeve se disa hotele në Tiranë kanë shumëfishuar çmimet e akomodimit për tifozët e finales së UEFA Conference League, ka ardhur edhe reagimi i Autoritetit të Konkurrencës.
Autoriteti bën me dije se të gjithë ato struktura që do të ngrenë çmimet për të përfituar nga ndeshja do të ndëshkohen me gjoba.
Nisur nga disa informacione shqetësuese në media në lidhje me rritjen e menjëhershme të çmimeve nga ana e ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e hotelerisë apo akomodime të tjera të ngjashme në qytetin e Tiranës, në kuadër të ndeshjes finale të Ligës së Konferencës midis skuadrave Roma-Feyenoord, e cila do të zhvillohet në Tiranë në datën 25 maj 2022, Autoriteti i Konkurrencës vendosi monitorimin e këtij tregu.
Nga monitorimi i platformave online që ofrojnë rezervime ambientesh fjetje si dhe nga monitorime në terren u identifikuan çmime tepër të larta për datat 23-25 maj 2022, krahasuar me periudha të tjera të vitit.
Autoriteti i Konkurrencës iu kërkon ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës:
-të ofrojnë shërbime me çmime të arsyeshme, të orientuara drejt kostos;
-të mos anulojnë rezervimet e hershme me qëllim rishitjen në minutën e fundit me çmime disa herë më të larta.
Autoriteti i Konkurrencës iu bën me dije ndërmarrjeve që ofrojnë shërbimin e fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme në qytetin e Tiranës që, nëse në përfundim të hetimit rezulton se rritja në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar e çmimit të shërbimit të fjetjes në hotele dhe akomodime të ngjashme do të gjendet në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”, shkelësit e ligjit do të ndëshkohen me gjoba deri ne 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës.
Ndeshja finale do të zhvillohet në “Air Albania”, më 25 maj, dhe pritet të vijnë shumë tifozë nga Italia dhe Holanda, pasi Roma dhe Feyenoord-i përballen për trofeun.



