Qeveria hapi dje garën për Parkun e Ri Fotovoltaik të Spitallës, në Durrës, i cili do të ketë një kapacitet të instaluar prej 100 megavat. Fituesi do të ketë një kontratë me OSHEE-në për blerjen afatgjatë të energjisë me çmim të paracaktuar. Për gazetarin e ekonomisë, Klodian Tomorri, të gjitha gjasat janë që pas këtij ankandi të jetë kompania franceze, Voltalia. Në studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se ankandi i Spitallës është çmenduri ekonomike, përsa i përket çmimit.
“Ky është tenderi i tretë që qeveria jep për parqet diellore. I pari u dha në Akërni në 2017, por me rotacionin në Ministrinë e Energjisë, projekti u braktis. Me lënien e Akërnisë, qeveria hapi një ankand të dytë në Karavasta. Tenderi u fitua nga një kompani franceze, Voltalia, me një çmim të favorshëm pasi energjia që do të prodhohej nga 70 mega do t’i shitet shtetit shqiptar me çmimin 24.84 për mega. Ajo që ndodhi në Spitallë është çmenduri ekonomike. 6 muaj më parë organizohet një ankand ku çmimi zbret në 24,89 euro për mega. Tani hapet një ankand me çmim 55 euro për megavat. Pra, ai 70% që ju thoni se do të blihet nga OSHEE në afat të gjatë është vendosur si cmim tavan, 55 euro. Pra, 2.3 herë më shtrenjtë se çmimi 6 muaj më parë. në këtë sens ka një logjikë ekonomike dhe ligjore. Ankandet apo koncesionet me energji diellore tentojnë të zbresin në çmim nga njëra te tjetra. Sa më shumë avancojnë vitet, energjia bëhet më e lirë për t’u investuar, çmimet bien me 15% në vit. Ky është një koncesion apo ankand që ka pasoja negative për qytetarët. Shteti duhet të blejë energji 70% të kapacitetit me çmimin 55 euro, por edhe mund të ulet. Të gjitha gjasat janë që pas këtij ankandi të jetë kompania franceze Voltalia. Mesa duket janë bërë pishman për atë çmim dhe kërkojnë të marrin edhe këtë tjetrin për të mesatarizuar çmimin”, tha ai.



