Kalimi i Këshillit të Qytetit të Birminghamit në vitin 2022 nga një sistem i trashëguar SAP në Oracle Cloud ERP ka rezultuar një dështim "katastrofik" i IT-së, me kosto kolosale. Dështimi solli si pasojë pamundësinë për të prodhuar llogari të auditueshme dhe shkaktoi keqmenaxhim të rëndë financiar.
Në vitin 2018, Këshilli planifikoi të zëvendësonte sistemin e tij të vjetër SAP ECC me Oracle Fusion Cloud për financa, prokurim dhe burime njerëzore. Projekti u vu në zbatim në prill 2022, por problemet e personalizimit - veçanërisht rreth një sistemi pajtimi bankar - nënkuptonin që sistemi nuk funksiononte siç duhet, duke çuar në boshllëqe të mëdha raportimi.
Projekti pritet t’i kushtojë Birminghamit 144.4 milionë paund – më shumë se shtatëfishti i vlerësimeve të mëparshme – ndërsa pret një sistem plotësisht funksional pesë vjet pas datës së planifikuar të vënies në punë.
Zyrtarët thanë se kostoja totale e parashikuar e programit deri në vitin financiar 2027-28 është 144.4 milionë paund, nga një vlerësim fillestar prej 19 milionë paundësh. Në vitin 2024, buxheti total i miratuar gjatë viteve financiare 2018/19 deri në 2025/26 ishte 131 milionë £.
Projekti filloi në vitin 2018, kur këshilli vendosi të kalonte nga sistemi R/3 SAP në një softuer më modern. Duke zgjedhur Oracle Fusion, fillimisht planifikoi të vihej në punë në dhjetor 2020 për financat dhe prokurimin, dhe në shkurt 2021 për burimet njerëzore dhe pagat. Edhe pse janë shpenzuar më shumë se 5 milionë £ për punë manuale në mënyrë që të bëhej përshtatja, projekti nuk ia doli të funksiononte.
Këshilli është detyruar të gjejë zgjidhje te një palë e tretë për funksionin e pajtimit bankar dhe po e ri-zbaton Oracle nga e para, një projekt që duhej të vihej në zbatim në prill dhe tani është vonuar me disa muaj.
Përllogaritet që humbja nga ky projekt të jetë rreth 200 paund për çdo qytetar të Birminghamit.



