Vetëm gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, nga prilli në qershor, Banka e Shqipërisë ka tërhequr më shumë se gjysmë miliardë euro nga tregu. Për gjithë gjysmën e parë të këtij viti, ajo ka blerë thuajse 700 milionë euro nga tregu i brendshëm valuator një shifër rekord në raport me dy tre vitet e fundit.
Lidhur me këtë, eksperti i Ekonomisë, Pano Sako, në "MCN Economy", tha se ky shtim i lekëve në qarkullim ka një efekt të drejtpërdrejtë negativ tek inflacioni, i cili sipas tij është një kosto që në fund e paguajnë të gjithë qytetarët.
Sasia e monedhës lekë është rritur nga vjet. Shtimi i lekëve në qarkullim ka efekt negativ tek inflacioni. Inflacioni është kosto që e paguajmë të gjithë ne.
Sako tha se, problem mbetet mungesa e kontrollit në pikat kufitare, ku sipas tij futen para të pista.
Ne na vjen paraja e pistë brenda, tani do ta forcojmë këtë shtet ne ta mbyllim derën. Vijnë në doganë, futen triliona me para, valixhe me cash me monedhë, këtu është halli. Shkaku është paraja që hyn në treg. Unë them t'i dalim ariut përballë, tek dogana që vjen cash, që është shteti që nuk funksionon.
Nga ana tjetër, profesori i Ekonomisë, Enriko Ceko, argumentoi se Banka e Shqipërisë kishte premtuar për këtë vit një ndërhyrje që do të luhatje nga 300 deri në 600 milionë euro, por këtë kuotë e ka ezauruar që në 6-mujorin e parë.
Ai theksoi se nuk është bërë transparencë se çfarë po bëhet me rreth 3 miliardë euro të mbledhura nga banka dhe nëse janë vënë ato në përdorim për të rregulluar balancat makroekonomike.
Për këtë vit premtoi se do të ndërhynte nga 300 milionë deri në 600 milionë euro dhe këto i ka harxhuar që në 6-mujorin e parë. Unë them se këtu kemi disa elemente dhe brenda këtyre elementeve duhet që të përfshihet edhe elementi kriminal. Të ndërhysh me kaq shumë para.
Çfarë ka ndodhur me inflacionin në një kohë që kemi hedhur kaq shumë lekë shqiptare në qarkullim? Këto 3 miliardë euro që janë mbledhur, çfarë është bërë me to? A i ka vënë në përdorim ajo këto 3 miliardë euro që të rregullojë balancat makroekonomike?



