Eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti, për kushtin kryesor të Bashkimit Europian lidhur me respektimin e standardeve të mjedisit thotë se për investimet që bëhen, merret vetëm mendimi i interesave gllabëruese.
Ai deklaroi për “MCN Economy” se në zonat e mbrojtura mund të ndërhyhet vetëm për zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.
Zonat e mbrojtura ndaj e kanë emrin e tillë që të mos hyhet në projekte brenda tyre, përveç atyre që çojnë në zhvillimin e qëndrueshëm. Bashkitë përcaktojnë rregullat dhe ligjet për zonat e mbrojtura. Ne bëjmë ligje mbi ligjet, ligjin e bën Maliqi. Por në Bashkimin Europian do zbatosh rregullat dhe pikë. Në zonat e mbrojtura mund të ndërhyhet vetëm për zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.
Atje duhet të sundojnë ligjet e natyrës, po u fut dora e njeriut atje, atëherë është shkatërrim. Nuk duhet bërë asnjë ndërhyrje pa marrë mendimin e shoqërisë civile dhe të ekspertëve. E keqja jonë është se ne bëjmë ligje dhe ligjeve iu krijojmë antiligje.
Ato VKM-të që janë në kundërshtim me ligjin europian dhe ligjet e natyrës. Merret mendimi i atyre që kanë interesa gllabëruese, që flasin për zhvillimin dhe kanë qëllim antizhvillimin. Të mos bëjmë lojëra me rregullat e natyrës. Larg duart nga zonat e mbrojtura.
Shoqëria civile përjashtohet nga këto projekte, ose merren disa të regjur me këto punë nga pseudo-shoqëria civile. Një prej ndotjeve më të rënda, janë metalet e rënda të Kurum. Bëhet fjalë për mbetje kancerogjene, për të cilat nuk do t’ia dijë njeri.
Ne jemi me vite dritë larg Bashkimit Europian. Ne nuk zbatojmë ligjet tona, jo më ligjet e Bashkimit Europian.



