
Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, pohon se këtë vit në Shqipëri ka pasur shumë turistë këtë e ka vëzhguar vetë, duke shtuar se cilësia është ende jo ajo që duhet, e llojit të turistit që na vjen dhe e parasë që lë këtu.
Në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos, Shano shpjegoi se nëse në Greqi një turist lë 150 euro në ditë, në Shqipëri lë diku 70 euro, duke nënvizuar se diferenca është shumë e madhe.
Vetëm Kreta ka 200 mijë shtretër, ndërsa ne sot me zor kemi arritur 70 mijë shtretër. Pretendimi i disa zyrtarëve thanë që ne i kemi marrë turistë Greqisë, më habiti në fakt.
Uroj që turizmi të shtohet por të konsolidohet oferta. Turizmi domethënë evente, akses në asetet e trashëgimisë kulturore që i kemi ende të pashfrytëzuara që të ndodhë turizmi, duhet të ndodhë bujqësia, siguria, fibra optike.
Në një kohë kur këto çalojnë, s’mund të flasësh për turizmin, është e fundit. Turizmi nuk mund të marrë emrin strategjik vetëm pse sjell të ardhura rreth 20% të PBB, edhe bujqësia është 20%, por bujqësia jonë është e kohës së musketjerve.
Pesha në përqindje, nuk të tregon shëndetin e vërtetë të sektorit. Sektori më strategjik që do flasë sa të kem frymë është i edukimit, ai që do prodhojë mirëqenie në shekullin 21 për shqiptarët.
Sektori i turizmit prodhon të ardhura, por jo për të gjithë, por për disa. Sektori edukimit është më strategjik, se ngjarja më e madhe zhvillohet në mendje.
Ne duhet të kemi një sektor edukimi që i përgjigjet kësaj lëvizje marramendëse, të tjerat ikin vijnë.



