Aleanca për Profesionistët e Lirë (APL) ka ngritur alarmin lidhur me ndryshimet e fundit fiskale të propozuara nga qeveria, duke i cilësuar ato si një goditje të drejtpërdrejtë si për bizneset, ashtu edhe për xhepat e qytetarëve thjeshtë.
Drejtuesi financiar i APL-së, Bilbil Zeneli, ka zbardhur në MCN TV një analizë të detajuar të aleancës, duke u ndalur në tre pika kritike që pritet të deformojnë tregun dhe të rrisin ndjeshëm koston e jetesës, e cila sipas tij është tashmë shumë më e lartë se në vendet e rajonit.
Zeneli sqaroi se ulja e pragut të TVSH-së do të përfshijë me detyrim mijëra profesionistë që deri më sot ishin të përjashtuar, ndërsa paralajmëroi se rritja e normës standarde të TVSH-së në 21% do të sjellë një zinxhir shtrenjtimi të produkteve bazë të shportës.
Ne si aleancë kemi bërë një analizë të thjeshtë të situatës dhe kemi dalë në tre pika kryesore që i shohim si mjaft kritike për ekonominë. E para ka lidhje me uljen e pragut të TVSH-së, një masë kjo që prek drejtpërdrejt dhe fut në skemë rreth 17 mijë tatimpagues të rinj, ku një pjesë e madhe e tyre janë mjekë, stomatologë, kontabilistë e profesionistë të tjerë të ngjashëm. E dyta është rritja e TVSH-së standarde nga 20 në 21%, e cila do të prekë pa përjashtim edhe produktet e shportës, dhe e treta është rritja e tatimit mbi dividentin. Megjithatë, problemi më i thellë që ne konstatojmë qëndron te metoda e ndjekur, pasi asnjë nga këto masa nuk shoqërohet me një vlerësim paraprak të efekteve.
Rritja e TVSH-së standarde prek çdo gjë bazë në përditshmërinë tonë. Për profesionistët e lirë kostot do të rriten ndjeshëm, sepse edhe pse ata që janë në fashën nga 5 deri në 14 milionë lekë e ruanin teorikisht tatimin me 0% deri në vitin 2029, tani me rregullat e reja një pjesë e madhe e tyre do të duhet të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH. Ajo që na shqetëson më shumë është fakti se nuk u konsultuan fare ata që preken drejtpërdrejt nga ky ligj, teksti u shkrua pa asnjë lloj diskutimi paraprak me grupet e interesit.
Në fund të ditës është qytetari i thjeshtë ai që do e vuajë këtë taksë mbi shpinën e tij. Nëse biznesi nuk e zbret dot TVSH-në, ajo kosto automatikisht do të transferohet te konsumatori final dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e menjëhershme të çmimeve. Profesionistët e lirë llogaritet se do të humbasin afërsisht 17% të të dhënave të tyre, ndërsa mallrat në tërësi do të shtrenjtohen me rreth 0.8%. Konkretisht, nga janari qytetari do të paguajë bukën me 6% më shtrenjtë dhe djathin me 21% më shumë. Edhe pse flitet për një reduktim, bëhet fjalë për vetëm 54 produkte dhe pa një monitorim të rreptë, kjo pjesë do të shndërrohet thjesht në marzh fitimi për tregtarët, ndërkohë që ne jemi shumë më lart me koston e jetesës krahasuar me rajonin.
