Lame: 320 mijë objekte në proces, në 2017-ën përfundon legalizimi

Lame: 320 mijë objekte në proces, në 2017-ën përfundon legalizimi

Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame u shpreh sot në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, se në total janë 320 mijë objekte në proces legalizimi. Ndërsa një numër i konsiderueshëm i objekteve të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin apo në zona të mbrojtura nuk do të legalizohen.

Duke u ndalur  në punën e bërë nga ky institucion për periudhën janar-shtator 2016, Lame theksoi se deri tani janë dhënë 83 mijë leje legalizimi, ose rreth 5 mijë leje legalizimi në muaj.

Në total vijoi ai, janë dorëzuar 420 mijë vetëdeklarime. Ndërsa 15 milionë dollarë janë vënë në dispozicion të Agjencisë së trajtimit të pronave për kompensimin e pronave.

Lame tha se, “probleme janë ndeshur me planet e bashkive, pasi ka pasur raste kur kemi përfunduar në gjykatë ngaqë pronarëve u janë prishur ndërtimet nga bashkitë”. “Ndërsa kemi çuar në qeveri ndryshime të procedurave, për thjeshtim të mëtejshëm të proçedurave të legalizimit. Kemi lënë rreth 1 mijë objekte pa përfshirë në proces legalizimi përgjatë Lanës. Kjo për shkak të projektit të rregullimit të kësaj hapësire. Probleme ka pasur me mbivendosjet e pronave në hipoteka, si dhe me pallatet e ndërtuara nga Enti Kombëtar i Banesave të cilat janë pa leje”.

Lame ka ngritur edhe shqetësimin për ndërtimet e bëra në zonat e mbrojtura, por ka theksuar se pas legalizimit të objekteve do të nis faza e urbanizimit.

“Problem janë ndërtimet pa leje në zonat e mbrojtura. Në fund të mandatit të parë qeverisës përfundojmë legalizimet e objekteve në zonat informale. Në të ardhmen synim kemi urbanizimin e zonave të legalizuara. Një pjesë objektesh nuk do legalizohen, si ato në zonat e mbrojtura, apo në kundërshtim me ligjin. Janë dhjetra mijëra objekte që nuk legalizohen. Po mendohet si do veprohet me familjet e objekteve që nuk legalizohen. Mund të sistemohen në objekte sociale ose me qira disa vjeçare” ka thënë Lame.

Duke u ndalur tek çështja e pallateve pa hipoteka, Lame ka thënë se të gjitha rastet duhet të miratohen me VKM të veçantë.

“Pallatet pa hipoteka janë problem në të gjithë Shqipërinë. Çdo pallat ka një kompleksitet problemesh. Kemi arritur në përfundimin se duhet të miratohen rast pas rasti me VKM. Në legalizimin e tyre nuk duhet të kemi në vëmendje pronarin, por banorët”, tha ai.

Sa i përket objekteve të kultit, Lame theksoi se janë 1 mijë të tilla pa leje. “Asnjë objekt i kultit musliman nuk do legalizohen pa marrë leje nga Komunteti Musliman. Janë rreth 1 mijë objekte kulti pa leje”, tha Lame.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy