
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, tha sot se rreth 1 mijë orë trajnimi janë zhvilluar me fermerët e vendit në kuadër të skemës së parëtë trajnimit në bujqësi. Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për fermerët dhe blegtorët, Krifca tha se, përballë sfidave të së ardhmes nuk mund të ecet pa rritur nivelin e dijes për fermerët, pa rritur aksesin ne teknologji e digjitalizim, pa rritur sigurinë ushqimore të produkteve të cilat i drejtohen sot më shumë se 88 tregjeve të ndryshme në botë.
“Pikërisht për të adresuar këto nevoja, diskutuam së bashku me partnerin tonë më të rëndësishëm mbi dijen – Universitetin Bujqësor të Tiranës - për të ndërtuar Skemën e trajnimit në Bujqësi e cila të mund ti drejtohej si fermerëve ashtu dhe ekstensionistëve të bujqësisë. Vumë në dispozicion të këtij procesi fonde dhe ndërtuam ekipin që përmblidhte ekspertet më të mire në fushat e bujqësisë, zooteknisë, ekonomisë bujqësore, bletarisë, blegtorisë, etj. Ky ekip udhëtoi në të gjithë Shqipërisë dhe pyeti më shumë se 1,000 fermerë dhe ekstensionistë rreth nevojave që kishin në aktivitetin e tyre të përditshëm. Përgjigjet e tyre u bënë plani i këtij programi njohurie për bujqësinë shqiptare”, deklaroi ministrja.
Në fund të vitit 2022, sipas ministres, rezultoi se janë zhvilluar më shumë se 240 ditë trajnimi për 240 specialistë ekstensionistët dhe rreth një mijë orë trajnimi me 2 mijë fermerët të shpërndarë në të gjithë vendin.
Rreth 827 prodhues perimesh, 720 prodhues frutash, 320 blegtorë, 135 prodhues BAM, etj. patën mundësi të diskutojnë gjatë 1000 orëve trajnim me specialistët më të mirë të sistemeve të prodhimit për problemet që ato hasin çdo ditë dhe për zgjidhjet që ofron sot shkenca dhe teknologjia e bujqësisë.
Krifca theksoi se shifrat e anketimit në fund të trajnimit, por edhe bisedat me specialistët e bujqësisë dhe fermerët tregojnë se kjo skemë ishte e vlefshme për ta (98%).
3 në 4 fermerë shprehen se duan që këto risi ti aplikojnë në territor ndaj për ne është e rëndësishme që të jemi pranë tyre në këtë proces të rëndësishëm.
Ministrja theksoi se MBZHR do ta shtrijë këtë program edhe në vitin aktual e atë në vijim duke siguruar që Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi të çojë dijen më pranë prodhimit dhe fermerit përmes demostrimit të modelit të praktikave më të mirave bujqësore dhe blegtorale dhe krijimin e fermave model. Ajo shprehu angazhimin për ndërtimin dhe mbikqyrjen e 30 fermave pilot në sistemet kryesore të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, si mundësia më e mire për fermerët, që të shohin se si praktikat e mira bujqësore dhe blegtorale zbatohen në realitet duke u përkthyer në rendimente më të larta, në kosto më të ulëta prodhimi.



