Kontrata koncesionare e Porto Romanos u miratua në vitin 2015 nga mazhoranca socialiste dhe iu dha bashkimit të disa shoqërive. Aty operojnë me depozitat e tyre të naftës shumë kompani që kryejnë aktivitet në Shqipëri.
Mënyra e dhënies me koncesion u kundërshtua që në atë kohë nga Autoriteti i Konkurrencës. Ky institucion vlerësoi se procedura për dhënien e koncesionit të formës “BOT” të një porti në Porto-Romano, Durrës, ishte në shkelje të ligjit pasi nuk ishte zbatuar detyrimi ligjor nga Ministria e Transportit dhe Këshilli i Ministrave për të dërguar dhe marrë vlerësimin e Autoritetit Konkurrencës mbi këtë projekt-akt që vendosi të drejta ekskluzive të veçanta, në një zonë të caktuar, për ndërmarrjen së cilës i është dhënë ky koncesion.
Investimi i kryer do të ishte 10.2 milionë dollarë në fillim të ndërtimit dhe në periudhën e fundit do të shtohet edhe 40% e vlerës. Arsyeja e realizimit të këtij investimi, sipas relacionit që shoqëronte këtë kontratë, ka të bëjë me një kufizim të kapaciteteve përpunuese, veçanërisht për hidrokarbure që kushtëzohet nga thellësia e porteve ekzistuese.
Sipas relacionit, shtesa në kontratë është e nevojshme, pasi shteti do të fitojë më shumë para nga tarifa koncesionare dhe po ashtu do të shtohet siguria për mbrojtjen e ambientit. Por vetëm para pak javësh, TvT zbuloi përmes pamjeve filmike ndotjen alarmante në Porto Romano nga rrjedhja e tubacioneve të naftës. Skandali, edhe pse i dokumentuar, kaloi në heshtje dhe pa asnjë penalizim për kompaninë koncesionare.
.



