Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) parashikon që ekonomia britanike do të tkurret me 11.5% në vitin 2020 për shkak të izolimit nga vala e parë e përhapjes së koronavirusit.
Franca do të pësojë një tkurrje të GDP-s me 11.4% ndërsa për Italinë parashikohet një rënie me 11.3%
OECD tha se kriza shëndetësore ka çuar në "recesionin më të rëndë ekonomik" për gati një shekull.
Kancelari Rishi Sunak tha se ekonomia e Britanisë së Madhe po përjetonte vështirësi të ngjashme me vendet e tjera të botës.
“Unë kam qenë i qartë se përparësia jonë kryesore është mbështetja e njerëzve dhe bizneseve gjatë kësaj krize dhe ne e kemi realizuar”, deklaroi ai.
Në nivel global, aktiviteti ekonomik do të bie me 6% këtë vit, ndërsa papunësia do të rritet me 9.6% krahasuar me 5.4% në 2019.
Raporti gjithashtu thekson se rimëkëmbja ekonomike mbetet ende e pasigurt pasi shumica e vendeve mund të preket sërish nga vala e pandemisë.
Nëse do të ketë një valë të dytë, Britania e Madhe mund të përballet me një tkurrje edhe më të thellë, prej 14%.
Një skenar i tillë do të rrisë papunësinë e Britanisë me 10% dhe me gjasë do të mbetet e tillë gjatë gjithë vitit.
Sunak u bëri thirrje blerësve që të rikthehen sërish, pasi sa më e gjatë të jetë koha e mbylljes ekonomike, aq më të rënda do jenë pasojat.
OECD gjithashtu rekomandoi qeverinë britanike të shtyjë fundin e periudhës së tranzicionit me BE.
"Duke pasur parasysh ndërprerjen ekonomike të shkaktuar nga COVID-19, një zgjatje e përkohshme e marrëdhënieve tregtare ekzistuese me BE përtej fundit të vitit 2020 do të ndihmonte në uljen e pasigurisë”, tha ai./ Sky News



