Mazniku deklaroi në “MCN Economy” se nuk ka asnjë rrezik që të kemi një shok në sektorin e pronës së patundshme, pasi kërkesa për apartamente në treg është e qëndrueshme.
Mazniku tha se rritja e çmimeve në sektorin e real estate në Shqipëri është në përputhje me vendet e tjera europiane.
Deri në momentin që ne flasim por edhe në të ardhmen e parashikueshme s’ka asnjë rrezik të kemi një shok në sektorin e pronës së patundshme. Ne e kontrollojmë këtë indikator në mënyrë të rregullt. Për sa kohë që kërkesa në treg mbetet e qëndrueshme, është e domosdoshme të ecim me një ritëm të qëndrueshëm në ofrimin e alternativës së re. Nga njëra anë na thuhet që çmimet e apartamenteve në Tiranë janë duke u rritur shumë, nga ana tjetër na thuhet po ndërtohet shumë. Pyetja është nëse nuk do të ndërtohej më në Tiranë, çfarë do të ndodhte me çmimet, do të ishin më të larta apo më të ulëta?! Në 10 vitet e fundit çmimi mesatar në qytetin e Tiranës është rritur me 34 për qind. Ndërkohë që çmimi mesatar në BE është rritur me 50 për qind. Edhe rritja e çmimeve është e përputhshme me rritjen e çmimeve të Real Estate, që është strukturë globale. Në një pjesë të madhe të vendeve njerëzit në 20-30 vitet e fundit nga periferitë kanë zgjedhur të lëvizin drejt zonave urbane. Në listën zgjedhore bashkia Tiranë ka 703 mijë votues, ndërkohë që dy vite më parë kishte 680 mijë. Tirana në këto dy vite është rritur minimalisht me 35 mijë veta, maksimalisht me 45 mijë veta, sepse janë edhe studentët që s’janë të regjistruar në Tiranë. Tirana po kthehet në një destinacion të rëndësishëm për emigrantët, që në formë investimi apo të blerjes së një banese për të jetuar kur të jenë në pension, janë duke blerë një shtëpi në Tiranë”.
Ai u shpreh se duhet të jenë mbi 100 projekte aktive në kryeqytet.



