Eksperti i ekonomisë Igli Tola, thotë se paqja fiskale e parashikuar në buxhetin e vitit që vjen parashikon një sërë lehtësirash, faljesh, amortizimesh detyrimesh për një sërë biznesesh, ku përfituesit kryesorë janë bizneset e mëdha, pasi borxhi i para dhjetë viteve falet totalisht.
Në një lidhje për “MCN Live”, ai deklaroi se paqja fiskale përbën rrezik për sektorin e ndërtimit dhe depërtimin e parave të pista.
Sipas tij, rreziku i depërtimit të parave informale në ekonomi është prezent, sa i takon paqes së madhe fiskale, pasi kompanitë mund të paguajnë tatim fitimin për dy vitet e ardhshme.
Bëhet fjalë për atë që njihet si borxhi i keq. Për detyrimet që nga 2014, falen kamatvonesat dhe gjobat, nëse subjekti do të shlyejë gjithë detyrimin, apo pagesë me këste duke negociuar me strukturat tatimore.
Më shumë se një risi, është diçka që në Shqipëri është bërë. Kemi parë gati çdo dhjetë vite një amnisti të tillë. Por përveç zgjerimit të gamës së saj, nuk ka përfitime të aktorëve ekonomikë, përfituesve.
Ajo që është më shqetësuese, është parapagimi për periudhat e ardhshme. Pasi mund të krijojë problematika shumë të mëdha, sidomos sa i takon kompanive të ndërtimit.
Është më shumë fshirje e borxheve të këqija se borxhi mbi dhjetë vjet ka të bëjë me kompanitë që ose kanë falimentuar, ose nuk kanë aktivitet dhe është një borxh që është e vështirë për tu arkëtuar.
Rreziku i depërtimit të parave informale në ekonomi është prezent, sa i takon paqes së madhe fiskale, pasi kompanitë mund të paguajnë tatim fitimin për dy vitet e ardhshme. Duke e ditur që detyrimi do të jetë më i lartë, kompania e parapaguan atë.
Kërcënimi kryesor është nga sektori i ndërtimit. Ndërsa për bizneset e ndershme që kanë paguar detyrimet, paqja fiskale është humbje.



