Eksperti i ekonomisë Pano Soko tha në “Mcn Economy” se shteti shqiptar jo vetëm që s’e ka zbutur pabarazinë në vend, por është promotori kryesor i thellimit të pabarazisë. Soko vë në dukje se korrupsioni është një nga faktorët kryesor të thellimit të pabarazisë në Shqipëri.
“Në thelb të kapitalizmit është pabarazia. Por kjo parë në këndvështrimin e shtetit të mirëqenies sociale, tenton gjithmonë që ta korrigjojë këtë anomali që krijon sistemi. Në momentin që ka distanca të mëdha mes shtresave të individëve, aty futet shteti për të korrektuar. Politika fiskale është mjeti më klasik. Korrektohet përmes taksave dhe shpenzimeve qeveritare. Paratë shkojnë për të zbutur diferencën.
Pavarësisht se kjo diferencë krijohet përmes proceseve legjitime natyrore që prodhon kapitalizmi, shteti është përgjegjës për t’i zbutur diferencat. Shqipëria ka dështuar në këtë mision. Shteti shqiptar jo vetëm që s’ka zbutur pabarazinë, por është promotori kryesor i thellimit të pabarazisë. Elementi kryesor janë politikat e padrejta fiskale. E para taksa progresive. Ne e kemi taksën progresive vetëm te të ardhurat personale. Nuk zbut pabarazinë, por vendos në një handikap logjik të njëjtën shtresë shoqërie. Shtresa që paguhet me pagë është shtresa e mesme.
Ata që paguhen me dividentë janë shtresa e lartë. Pabarazia duhet të zbutet midis këtyre dy shtresave, jo brenda të njëjtës shtresë. Është thelluar padrejtësisht pabarazia. Paratë e tenderave, një pjesë e mirë futet te xhepi. Ato thellojnë pabarazinë. Korrupsioni është promotori kryesor i thellimit të pabarazisë. Prandaj shikon një kastë njerëzish që jetojnë në luks të frenuar dhe 46 për qind në kufij të varfërisë”.



