Ambientalisti Lavdosh Feruni tha në “Mcn Economy” se jemi në një terr informativ nga pikëpamja e transparencës dhe menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme. Ai vuri në dukje se ligji i ndarjes së mbeturinave në burim i vitit 2011 ishte shumë i mirë, por s’u zbatua kurrë, dhe në vend të kësaj shpërtheu megalomania e inceneratorëve.
“Ne kemi mbetje kimike në vend dhe s’dihet se çfarë bëhet me to. Jemi në një terr informativ nga pikëpamja e transparencës dhe menaxhimit të mbetjeve të rrezikshme. Është një çështje shumë delikate, dhe është mirë që u provokua. Ligji i ndarjes që në burim është që nga viti 2011. Është shumë i mirë, mund të jetë edhe më perfekt, por ka pasur një lloj konsensusi dhe u la të ndaheshin në dy rryma, mbetjet që mund të riciklohen dhe mbetjet organike. A është zbatuar?! Është tentuar në 2015-2016 nga Bashkia Tiranë dhe u tërhoqën. Pikërisht në këtë periudhë shpërtheu megalomania, paradoksaliteti i inceneratorëve. Ky është thelbi i historisë së mbetjeve. Autoritetet kundërshtojnë ligjin që kanë bërë vetë. Parimi është që përpunimi duhen bërë sa më afër vendit ku prodhohet. Ne riciklojmë më pak, ky është hap pas në menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri. Në momentin që u fut ideja e inceneratorëve njerëz të mbrapsht dhe të korruptuar ndryshuan strategjinë. Është gjynah, fatkeqësi, që ne s’jemi në gjendje të ndajmë letrën. Nuk e bëjnë, që t’i rritet volumi në landfill, dhe të marrë më shumë koncesionari”.
Feruni tha se importin e mbetjeve po e nxisin fabrikat e çimentos. Ai tha se Italia ka baule me plehra që mund të digjen në fabrikën e çimentos.
"Vijmë te importi i mbetjeve. Pse është ideja për të bërë ligjin që të lejohet importi i mbetjeve. Aktorë kryesor janë fabrikat e çimentos. Ato duan ca paketa që kanë brenda mbetje bashkiake që quhen RDF, ku është hequr qelqi dhe hekuri, dhe të gjitha të tjerat janë të futura brenda në një baule. Janë male, baule të tilla me plehra në Itali, që po të shkojnë në fabrikë të çimentos digjen, sepse kanë fuqi kalorifike, plastike, dhe duan, ishte një artikull i ‘Corriere Della Sera’, 800 milionë euro i duhet Italisë t’i çojë në Gjermani për t’i inceneruar. Italia është e gatshme t’ua japë pa lekë fare fabrikave të çimentos".



